string(69) "film-pese-stinet-e-femijerise-sime-nje-elegji-e-pervojes-dhe-kujtimit"

Arte

Donjeta Abazi

14/02/2025 17:18

Film/ “Pesë stinët e fëmijërisë sime” – Një elegji e përvojës dhe kujtimit

Arte

Donjeta Abazi

14/02/2025 17:18

Filmi “Pesë stinët e fëmijërisë sime”, i regjisorit Besim Ugzamjli, do ta ketë premierën botërore në njërin ndër festivalet më prestigjioze të filmit, “Tampere Film Fetival”, në Finlandë

Nga Donjeta Abazi

Lexo Edhe:

“Pesë stinët e fëmijërisë sime”, një bashkëprodhim mes Kosovës dhe Spanjës, është bashkëpunimi i pestë i Besim Ugzmajlit me Mailuki Films.

Përmbledhje:

Një udhëtim nëpër kujtimet e fëmijërisë sjell nostalgji plot dhimbje dhe dashuri. Asgjë nuk është si në fëmijëri; vetëm kujtimet bredhin lirshëm dhe ndriçojnë në retrospektivë.

Mjedisi dhe gjithçka e asaj kohe është rrënuar dhe ndryshuar dhunshëm nga dikush.

Stinët janë vendosur në rrënojat e kujtimeve të trazuara.

Nostalgjia e fëmijërisë e mbështjellë me thirrjen për reflektim

Në skenën hapëse të filmit, krijohet një përshtypje që në këtë realizim ne nuk do të shohim veç rikthim në kohë të autorit, nuk do të ketë veç nostalgji të autorit për një periudhë që nuk është më, bile përgatitemi të shohim një reflektim tragjik mbi një ngjarje të cilën nuk e dimë ku do të mbështetet. Muzika në sfond, narrativa e autorit me një gjuhë sa të dhimbshme aq dëshpëruese, dhe pamjet që janë vizualizuar në vendlindje të autorit e dërgojnë shikuesin në një ide, e cila, ani pse vazhdon të mbetet e paqartë, hap horizontin për të kuptuar kah do të marr kahje ngjarja.

Skenat përcjellin një djalë të vogël, i cili i kthehet kohës kur proporcioni i tij trupor me ambientin ku ka jetuar ishte krejt ndryshe me atë që është sot. Djali i vogël sot endet në kërkim të këtij ambienti i cili ka determinuar një pjesë të madhe të jetës së tij, prej që ka filluar të mbajë mend, diçka gjen nga ky ambient, ama edhe ajo që i ka mbijetuar kohës ka mbetur veç si shenjë për ta treguar një fenomen anti human, kundër natyrës dhe brutalisht kundër kujtimeve të djaloshit.

Gjuha, korbi dhe shahu

Pafajësia e personazhit të filmit lidhet ngushtë me një korb, jo me atë të Edgar Allan Poes, por me atë të qytetit të tij. Korbi personifikon një anë tjetër të zhvillimit të ngjarjeve, atë të rezistencës, zakonisht ne e shohim korbin si një ogurzi dhe një ndjellës të fatit të zi, ama përtej këtyre personifikimeve ne ndjejmë dhimbje në skenat e këtij filmi për korbin. Rezistenca e këtij korbi për dorën humane na lidh ngushtë me autorin prej të cilit ne presim reagim, në pamundësi për të reaguar.

“Pesë stinët e fëmijërisë sime” rrëfehet ngadalë, në fakt e gjithë mënyra së si rrëfehet ngjarja i jep filmit dozën më të madhe të ndjeshmërisë.

Djali kthehet në ambientet e fëmijërisë së tij dyfish në revoltë. Revolta për një pjesë të shenjtë të kohës kur orendi të shtëpisë kishin peshë shumë më të rëndë se sa që kanë sot edhe nëse do të ruheshin dhe revolta për shkatërrime të këtyre kujtimeve të cilat në përbërje bazë kanë natyrën, lumin, drunjtë, shkollën dhe shahun.

Konteksti

“Pesë stinët e fëmijërisë sime” nuk është veç një film nostalgjik ama as një film për reflektim nuk është. Filmi i shkurtër, dokumentar, në fakt është kombinim shumë i mirë i të dyjave, nostalgjisë për ambientin e fëmijërisë dhe revoltës së personazhit ndaj fenomeneve që këto ambiente i kanë tjetërsuar.

Ambientet e tjetërsuara kanë marrë me vete një pjesë të mirë të mbamëndjes kolektive, edhe ajo me shkollën që u dogj në Ferizaj në vitin 2023 edhe ajo me mbetjet e fundit të trungut të një druri kushedi sa vjeçar, madje edhe me mbeturinat qe mbajnë pezull korbin. Të gjitha këto fenomene dhe të tjera që potencohen në filmin dokumentar të Ugzmajlit i bëjnë bashkë të kaluarën dhe të tashmen si dy paralele fort të ndryshme e shumë larg njëra tjetrës që nuk puthiten dhe që kanë garuar me njëra tjetrën në dy kauza të ndryshme.

Rikthimi i personazhit në fëmijëri kthen shumë të tjerë aty, arsyeja kryesore pse shumë njerëz që shohin filmin e gjejnë veten në të është sepse elementet që përbejnë këtë fëmijëri janë shumë të ngjashme për secilin. Bashkë me djalin e vogël kthehemi edhe ne. Në pishman apo në revoltë nuk ka rëndësi, ne kthehemi tek simpatia e parë, tek fushat me dele dhe tek interieri i brendshëm i shtëpisë, sidomos aty.

Ideja bazë e filmit është e ndjeshme pastaj idetë tjera të realizimit të tij janë ngushtë lidhur me fenomene shoqërore dhe të ambientit. Ajo që filmin e bën të veçantë nuk është veç koha për të cilët rrëfehet, është mënyra së si rrëfehet për këtë kohë.

Në ambientet në të cilat ne e shohim personazhin e shohim veten, këto ambiente ani pse janë tjetërsuar nuk e kanë humbur fuqinë e tyre për të ngjallë nostalgji. Secila nga ambientet nga orenditë e shtëpisë e ngre një pjesë tonën zvarrë dhe e dërgon diku në fillimet tona, atje ku ka nisur gjithçka.

Filmi gjysmë animuar gjysmë real mbështet një pjesë të madhe të realizimit të tij në tekstin mbi të cilin është krijuar.

“Gjithçka që bëra në këtë katrahurë të jashtëzakonshme pas shumë vitesh ishte që shpëtova këtë korb”

Vetë Ugzmajli flet për titullin dhe idenë e këtij dokumenti kinematografik:

“Pesë Stinët e Fëmijërisë Sime” është një elegji për kujtimet e fëmijërisë sime, të gjeneratës sime dhe të gjeneratave të afërta. Pesë Stinët simbolizojnë një cikël të zakonshëm jetësor, por jo një cikël të ngurtë dhe të pandryshueshëm. Përkundrazi, Pesë Stinët e Fëmijërisë Sime janë cikle që nuk përsëriten kurrë në mënyrë identike, por e dinamizojnë jetën dhe i japin asaj kuptim, sidomos kur shihen nga largësia e viteve. Pesë Stinët e Fëmijërisë Sime përjetohen dy herë: herën e parë në kohën reale, kur ndodhin, dhe herën e dytë, gjatë gjithë jetës sonë, përmes kujtimeve që na shoqërojnë vazhdimisht. Pikërisht për këtë arsye, Pesë Stinët e Fëmijërisë Sime shndërrohen në periudha thelbësore për formësimin e njeriut, duke ndikuar në zhvillimin dhe identitetin e tij përgjatë gjithë jetës”, përfundon Ugzmajli.

***

Ky film i realizuar në një formë krejt të veçantë fton nëse jo të gjithë, një pjesë nga të gjithë, në një udhëtim retrospektiv e nostalgjik, duke cytur për ndryshim. Gjithçka që filmi kërkon në mesazhin që bart tek publiku është kërkesë humane, gjithçka tjetër e cila nuk kthehet më, mban një pjesë tonën të madhe e cila me a pa dashje na është tjetërsuar ndër vite, pikërisht nga tjetri.

“Pesë stinët e fëmijërisë sime”, tundon rrënjësisht dy pjesë të secilit nga ne, atë të ndërgjegjes kolektive dhe atë të pafajësisë e çiltërsisë se dikurshme.

/Gazeta Express