Avokati Lluka Mishetiq, i cili po përfaqëson ish-presidentin Hashim Thaçi në Hagë, në ditën e tretë të deklaratave përmbyllëse ka hedhur kritika për Prokurorinë.
Avokati i Thaçit u ka thënë gjykatësve se e sheh problematik faktin që në gjithë dosjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) janë shpërfillur të gjitha provat të cilat diskreditojnë provat dhe pretendimet e saj.
“Kur analizohen dhe shqyrtohen parashtrimet përfundimtare të ZPS-së është sikur të lexohet një kronikë apo analizë e një filmi të shkruar nga dikush që nuk e ka parë filmin”.
Avokati e nisi fjalën e vet duke deklaruar se ish-presidenti i Kosovës, Thaçi është i pafajshëm dhe që kjo është pikënisja prej ku duhet të merret vendimi.
“Kur t’i filloni kuvendimet tuaja, ju do të filloni nga qëndrimi se Hashim Thaçi është i pafajshëm dhe më pas ju do të vlerësoni nëse provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ju kanë bindur juve, jashtë dyshimit të arsyeshëm, se Hashim Thaçi është fajtor”, u ka thënë Mishetiq gjyqtarëve./REL/