Fillon samiti i NATO-s në Hagë, priten vendime të udhëheqësve për shpenzime dhe prodhim më të lartë në industrinë e mbrojtjes - Gazeta Express
string(124) "fillon-samiti-i-nato-s-ne-hage-priten-vendime-te-udheheqesve-per-shpenzime-dhe-prodhim-me-te-larte-ne-industrine-e-mbrojtjes"

Lajme

Gazeta Express

24/06/2025 9:10

Fillon samiti i NATO-s në Hagë, priten vendime të udhëheqësve për shpenzime dhe prodhim më të lartë në industrinë e mbrojtjes

Lajme

Gazeta Express

24/06/2025 9:10

Udhëheqësit e 32 vendeve anëtare të NATO-s janë mbledhur sot në Hagë për një samit dyditor të Aleancës së Atlantikut të Veriut, ku pritet të arrihet marrëveshje për rritjen e ndjeshme të investimeve në mbrojtje, rritjen e prodhimit të industrisë së mbrojtjes dhe konfirmimin e mbështetjes afatgjatë për Ukrainën.

Në këtë samit marrin pjesë rreth 6.000 delegatë dhe liderët kryesorë të vendeve anëtare, përfshirë presidentin e SHBA-së Donald Trump, presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrin britanik Keir Starmer.

Në fokusin kryesor të samitit është propozimi për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje në pesë për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), kërkesë e kahershme e presidentit Trump. Megjithatë, vëmendja është pjesërisht zhvendosur pas vendimit të Trump për të ndërmarrë sulme ajrore ndaj tre impianteve iraniane të pasurimit bërthamor, si pjesë e konfliktit të përshkallëzuar midis Iranit dhe Izraelit që shpërtheu më 13 qershor.

Samiti i Hagës është i pari i këtij lloji që mbahet në Holandë dhe gjithashtu i pari nën udhëheqjen e Sekretarit të ri të Përgjithshëm të NATO-s, holandezit Mark Rutte, dhe që nga rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Rritje e investimeve në mbrojtje

Aleatët pritet të bien dakord për një plan të ri mbrojtës që përfshin rritjen e shpenzimeve në pesë për qind të PBB-së për sektorë të lidhur me mbrojtjen, si infrastruktura, industria dhe qëndrueshmëria. Aktualisht, SHBA mban pjesën më të madhe të barrës financiare të NATO-s, ndërsa vendet evropiane kontribuojnë me vetëm 30 për qind të totalit. Polonia, Estonia dhe Lituania tashmë kanë rritur shpenzimet në këtë nivel, ndërsa Spanja mbetet prapa me më pak se dy për qind.

Gjithashtu, pritet të miratohen vendime për të përshpejtuar prodhimin në industrinë e mbrojtjes, për të mundësuar prodhim më të shpejtë dhe inovacione teknologjike të reja.

Mbështetje për Ukrainën

Zyrtarë të NATO-s deklaruan se në samit do të konfirmohet mbështetja për përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga SHBA-të për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, si dhe për mbështetje të qëndrueshme ushtarake për Kievin që të përballojë agresionin rus.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se samiti po mbahet në një moment historik dhe në një kontekst sigurie gjithnjë e më të ndërlikuar për Aleancën.

“Ndërsa bota po bëhet një vend gjithnjë e më i rrezikshëm, liderët tanë do të marrin vendime të guximshme për të forcuar mbrojtjen tonë kolektive, gjë që do ta bëjë NATO-n më të fortë, më të drejtë dhe më të gatshme për të vepruar”, tha Rutte.

Ai shtoi se Rusia mbetet “kërcënimi më i madh dhe më i drejtpërdrejtë” për Aleancën, duke e akuzuar Kremlinin se vazhdon agresionin në Ukrainë me mbështetjen e Koresë së Veriut, Iranit, Kinës dhe Bjellorusisë.

Balkani Perëndimor dhe siguria në Kosovë

Edhe pse Ballkani Perëndimor nuk është temë e veçantë e agjendës, një zyrtar i NATO-s tha dje se ky rajon mbetet “me rëndësi strategjike për aleancën” dhe “në krye të agjendës”. Ai theksoi se NATO vazhdon t’i bëjë thirrje Serbisë që të vërë para drejtësisë autorët e dhunës në Kosovë në vitin 2023 – përfshirë sulmin ndaj pjesëtarëve të misionit KFOR në Zveçan dhe incidentin me grupin e armatosur në Banjskë.

Siguria në Hagë – Operacioni më i madh në historinë e Holandës

Për të garantuar sigurinë gjatë samitit, Holanda ka aktivizuar operacionin “Mburoja Portokalli” – operacionin më të madh të sigurisë në historinë e saj, me një kosto prej 183.4 milionë eurosh. Janë angazhuar mbi 10.000 pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë, helikopterë luftarakë, patrulla detare, njësi për çaktivizimin e bombave dhe mbrojtje kundërajrore.

Agjenda e samitit

Në qendër të samitit, nesër do të mbahet takimi i Këshillit të Atlantikut të Veriut (NAC), organi kryesor vendimmarrës i NATO-s, me pjesëmarrjen e 32 liderëve. Po atë ditë, do të zhvillohet edhe takimi i Rutte, Trump dhe partnerëve të NATO-s nga rajoni Indo-Paqësor: Australia, Japonia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut.