Fillon puna për krijimin e ligës së përbashkët Kosovë - Shqipëri - Gazeta Express
string(62) "fillon-puna-per-krijimin-e-liges-se-perbashket-kosove-shqiperi"

Fillon puna për krijimin e ligës së përbashkët Kosovë – Shqipëri

Gazeta Express

20/05/2020 13:10

Federata e Basketbollit e Kosovës e ka konfirmuar përmes një deklaratë të lëshuar për media se tashmë kanë filluar punimet për krijimin e ligës së përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë. Marrëveshja për themelimin e kësaj lige pritet të nënshkruhet në javën e dytë të qershorit.

Sot u mbajt takimi i parë i ekipeve teknike të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB), përmes një video-konference, transmeton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Këto dy ekipe do të punojnë në përgatitjen e dokumenteve dhe akteve normative për ligën. Ky proces pritet të përfundojë në javën e dytë të muajit qershor, kur pritet edhe nënshkrimi i marrëveshjes mes dy Federatave për krijimin e ligës së përbashkët.

Ekipet teknike do të udhëhiqen nga sekretarët e përgjithshëm, megjithatë në këtë takim morën pjesë edhe kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, dhe kryetari i FSHB-së, Avni Ponari.

“Ideja e kamotshme e themelimit të një lige të përbashkët të basketbollit mes Federatës Shqiptare të Basketbollit dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës do të realizohet nga edicioni garues 2020-2021”, tha Fetahu pas takimit.

“Marrëveshja e bashkëpunimit dhe financimit të Ligës Kombëtare në Basketboll do të formalizohet mes FSHB-së dhe FBK-së gjatë muajit qershor 2020, për një periudhë 4-vjeçare me mundësi vazhdimi”.

“Qëllimi i Ligës do të jetë ofrimi i një mjedisi konkurrues ndërkombëtar për ekipet e shteteve pjesëmarrëse, nxitja e konkurrencës mes klubeve dhe sigurimi i ndeshjeve ndërkombëtare dhe hapësirës në parket për lojtarët vendorë”. /Gazeta Express/