Edicioni i 19-të i festivalit Ndërkombëtar të Stripit dhe karikaturës, në Prizren, do të jetë e hapur për publikun prej datës 04 – 06 nëntor 2022
Në këtë festival kanë aplikuar 930 artistë nga 73 shtete botërore me temën “Fletat e vizatuara në bardhë e zi” dhe në temë të lirë.
Një nga segmentet e rëndësishme të programeve janë edhe debatet dhe retrospektiva e punimeve të disa artistëve të rëndësishëm botëror. Në këtë edicion do të flitet edhe për disa nga heronjtë e stripit që janë si Tarzani, Gjil, Saguaro, Teks, Zagori dhe Njeriu Merimangë. Një nga programet që duhet të përcillet është edhe programi i promovimit të stripit “Zagor” të botuar në gjuhën Shqipe. Përpos stripit të Zagorit do të ketë edhe shitje të stripave të profileve të ndryshëm.

Përgjatë promovimeve dhe debateve ekspozita do të jetë e hapur për publikun ku edhe do të ketë punëtori të vizatimeve drejtpërdrejt nga 13 artistë mysafirë nga 6 shtete që janë pjesë e festivalit.
Ky festival është pjesë e programit të shoqatës së strip artistëve kosovarë “Xhennetcomics” për vitin 2022 ku përpos ekspozitave të realizuara të disa artistëve kosovarë janë realizuar edhe disa programe të kurseve të shkollës së strupit.
Ky edicion do të vazhdojë programin e tij deri në muajin dhjetor 2022 me kremtimin e formimit të 20 vjetorit të shoqatës të strip artistëve kosovarë “Xhennetcomics”, duke përcjellë edhe disa ekspozita dhe debate me artistë të lëmenjve të ndryshëm si autorë vendorë dhe ato nga shtete rajonale dhe më gjer. Këtë vit hapja zyrtare e festivalit do të jetë më 05 nëntor 2022 e shtunë në Galerinë “Shani Efendi“ në Prizren dhe si viteve të mëparshme hyrja është e lirë për të gjithë vizitorët dhe me programe të përshtatshme për të gjitha moshat e artdashësve.
/Gazeta Express