Mori fund përfundimisht në fundjavën që shkoi epoka e Carlo Ancelottit në Real Madrid, ndërsa është koha që “Los Blancos” ta ndërrojnë faqen dhe t’i besojnë shoferit të ri, duke shpresuar që do të bëjë që të mos qahen sukseset e shumta që i kishte arritur trajneri italian.
Mungon vetëm zyrtarizimi, por Xabi Alonso është njeriu i zgjedhur nga presidenti Florentino Perez për t’u akomoduar në njërën prej bankinave më të rëndësishme në futbollin botëror, shkruan “Gazeta Express”.
Tashmë ish-trajner i Bayer Leverkusenit, 43 vjeçari do të jetë prezent sot për ta nënshkruar kontratën e re për tri sezone.
Kështu, aventura e tij e re në “Santiago Bernabeu” do të nisë më 1 qershor kur do t’i udhëheqë Kylian Mbappen me shokë në eksperiencën e tyre të re në Botërorin e Klubeve.
Ish-mesfushori spanjoll në fakt do të rikthehet në një vend të cilin e njeh mirë pasi i kishte kaluar plot pesë sezone në kryeqytetin spanjoll.
Emri i tij qarkullonte qe disa muaj.
Për ta bindur presidentin dhe drejtuesit e klubit mbretëror spanjoll u përkujdesën rezultatet magjike të arritura nga ai në Gjermani, ku e fitoi Bundesligën dhe Kupën kombëtare në sezonin 2023/24, duke e ndërprerë kështu dominimin e Bayern Munichut.
Alonso e ka demonstruar se di të përshtatet mirë me lojtarët që i ka në dispozicion, ndërsa nga 3-5-2 mund të kalojë në modulin 4-3-3, të cilin e përdorte edhe Ancelotti, e me të cilin ka pasur sukses. /Gazeta Express