Sot nis edicioni XI i Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë – polip që zhvillohet në Prishtinë prej 10-13 shtator.
Për tri ditë me rradhë, polip-i i këtij viti do t’i mbledhë shkrimtarët, gazetarët, poetët e artistët vendorë, rajonalë e evropianë rreth temës “Cancel Culture” për të performuar, diskutuar, lexuar e prezantuar krijimet e tyre e për të vazhduar miqësinë e nisur 10 vite më parë.
Edhe këtë vit programi i Polip-it do të mund të përcillet online përmes web faqes dhe rrjeteve sociale të Qendra Multimedia (www.qendra.org; https://www.facebook.com/QendraMultimedia; https://www.youtube.com/channel/UCMilqKZkFR5AsAaTHD4icmg),
Si edhe në edicionet e tjera, programi i pasur i festivalit tonë jep përmbajtje e informata të çmueshme për letërsinë e kulturën që zhvillohet e krijohet në rajon e më gjerë. Diskutimet rreth kritikës letrare, lirisë së shprehjes dhe ndërlidhjes së artit e gjuhës janë vetëm disa nga platformat kulturore publike që kemi menduar ti ndajmë me ju këtë vit.
Diskutimet mëtojnë të shtjellojnë përvç tjerash marrëdhënien në mes të lirisë dhe lirisë së shprehjes, dhe, në cilin rast liria e shprehjes së një grupi kërcënon lirinë e një grupi tjetër? Ku përfundon liria artistike dhe kur fillon nevoja për të qenë ‘politikisht korrekt’ në krijimin artistik? A mund të konsiderohet një vepër artistike si ‘e mirë’ nëse anashkalon ndërlidhjen midis lirisë krijuese dhe korrektësisë politike? A mund të ketë letërsi të mirë që shkon kundër këtyre parimeve dhe që sfidon këtë ndërlidhje dhe këta kufij, të cilët shpesh janë të padukshëm? Cili është kufiri midis lirisë krijuese – kush e përcakton këtë kufi – dhe a është vjetëruar apo përforcuar ky kufi nga ‘epoka’ e ‘cancel culture’?
Një nga ngjarjet e rëndësishme në Polip-in e këtij viti është edhe diskutimi me shkrimtaren e njohur turke Elif Shafak e cila do të na bashkangjitet online të dielen për të diskutuar mbi punën e saj, trendet letrare e ndikimin e letërsisë në zhvillimet shoqërore.