Në Gjykatën Supreme sot është mbajtur seanca gjyqësore lidhur me kontestimin e rregullores së punës së Komisionit të Pavarur të Mediave, e plotësuar në mbledhjen e datës 17.01.2025, ku Instituti i Kosovës për Drejtësi e kishte paditur KPM lidhur me ndryshimin e rregullores së punës dhe zgjedhjen e kryetarit të ri.
Para trupit gjykues të dy palët i parashtruan kundërshtimet e tyre, derisa Instituti i Kosovës për Drejtësi, insiston se vetëm pas skadimit të mandatit të kryetarit akutal, mund të emërohet kryetari i ri.
Nga Komisioni i Pavarur për Media thonë se pretendimet e IKD-së, janë të pabazuara dhe të paargumentuara.
Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se nëse dispozita ligjore nuk respektohet, atëherë zgjedhja e kryetarit është e kundërligjshme.
“Ligji e jep vetëm një moment ligjor e që është pas skadimit të mandatit të kryetarit aktual e që kjo është dispozita e vetme ligjore që lejon zgjedhjen e kryetarit. Nëse kjo dispozitë ligjore është e pazbatueshme atëherë zgjedhja e kryetarit është e kundërligjshme për shkak se nuk ka dispozitë tjetër. Në bindjen tonë ka një përzierje konceptuale në mes interesit publik dhe interesit në një të drejtë subjektive private”, tha ai.
Por, pretendimet e Shalës i quan të pabazuara dhe sipërfaqësore, Naim Rracaj nga zyra ligjore në Komisionin e Pavarur të Mediave, raporton KP.
“I kundërshtojmë pretendimet e paditësit, janë të pabazuara nuk janë fare të argumentuara si të tilla thjesht janë sipërfaqësore dhe presim nga kjo gjykatë vendim meritor duke respektuar në tërësi mandatin kushtetues për ta bërë organizimin e brendshëm në mënyrë të pavarur dhe presim vendim i cili do ta refuzoj pretendimin e palës paditëse dhe do ta konfirmon ligjshmërinë e punës së të Komisionit të Pavarur të Mediave qoftë në aspektin procedural qoftë material”, tha ai.
Para gjyqtarëve të Supremes, Gëzim Shala nga IKD deklaroi se kanë prova të mjaftueshme për të argumentuar se KPM ka shkelur haptazi Ligjin bazik të funksionimit të saj me rastin e miratimit të Rregullores së Punës.
“Çdo lëvizje përtej këtij momentumi ligjor konsiderohet shkelje ligjore. Tutje, zhvillimin e konsultimeve publike, si një praktikë e mirë qeverisëse në rastin e akteve ligjore të KPM-së parashikon obligim ligjore dhe për faktin se këto konsultime publike nuk janë zhvilluar në rastin konkret përpos materies dhe procedura e miratimit të kësaj rregulloreje është e kundërligjshme…. Për herë të parë dëgjohen pretendimet e tilla se Rregullorja e Punës nuk është akt nënligjor.
Përkundër qartësisë së kësaj çështje, po japim një përgjigje të shkurtë. Nëse kjo rregullore nuk është akt nënligjor, atëherë çfarë është: Ligj apo vendim individual, kuptohet që është ligj dhe jo vendim individual që vendos mbi një marrëdhënie specifike administrative . Rregullorja e Punës është akti më i rëndësishëm i funksionimit të një institucioni në këtë rast të KPM sikur kjo rregullore të mos cilësohej si akt nënligjor atëherë definitivisht do të mund ta zëvendësonte ligjin përmes rregullores për shkak se nuk do të kishte asnjë mjet juridik ndaj saj. Për këtë arsye pala paditëse vlerëson se këto pretendime janë të pabazuara dhe gjykata supreme ka kompetencë për të vendosur në këtë rast”, tha ai.
Shala kërkoi nga Supremja që ta deklarojë të paligjshëm dhe ta shfuqizojë neniN 3.2. të Rregullores së Punës së KPM, të miratuar më 17 janar 2025.
“Duke e ditur se objekt i kësaj padie nuk janë dyshimet për politizim të KPM, por ligjshmëria e Rregullores së Punës së këtij institucioni të pavarur kushtetues kërkojmë nga Gjykata që të deklaroj të paligjshëm dhe ta shfuqizoj neni 3.2. të Rregullores së Punës së KPM, të miratuar më 17 janar 2025”, tha ai.
Përfaqësuesi i palës së paditur në Komisionin e Pavarur për Media, Niman Rracaj tha se kjo Rregullorja e Punës ndonëse është ndryshuar disa herë ajo nuk është vendosur asnjëherë në konsultime publike pasi nuk rregullon raporte me jashtë.
“Rregullorja e Punës së KPM është rregullore që përcakton veprime procedurale specifike vetëm për anëtarët e Komisionit në zyrën ekzekutive rrjedhimisht në preambulën e saj është e shënuar qartë se është akt i brendshëm, konsultimi publik për një akt të brendshëm është në kundërshtim me vetë natyrën e aktit KPM ka dhjetëra akte normative nënligjore të cilat i ka vendosur në konsultim publik dhe nuk e kemi asnjë rast të vetëm kur aktet normative nënligjore nuk kanë dal konsultim publik”, theksoi ai.