Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se sot ka filluar periudha për kundërshtimin e pasaktësive në Listën Preliminare të Votuesve për Zgjedhjet Lokale, periudhë e cila do të përfundojë më 31 gusht 2025.
Nga KQZ është bërë e ditur se personat që nuk janë në Listën e votueseve, apo edhe nëse janë caktuar në ndonjë qendër tjetër të votimit, mund të kërkojë nga KQZ rishikimin e saj: përmes platformës elekronike: https://qv.kqz-ks.org, ose duke u paraqitur në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën përkatëse.
Po ashtu, nga KQZ është bërë e ditur edhe se gjatë këtij afati, votuesi mund ta kundërshtojë pasaktësinë e Listës Preliminare të Votuese edhe për ndonjë emër të votuesit për të cilin pretendon se nuk duhet të figurojë në këtë listë, përfshirë edhe rastet kur në këtë listë figuron emri i ndonjë personi të vdekur.
Komunikata:
Fillon periudha për kundërshtimin e pasaktësive në Listën Votuese për Zgjedhjet Lokale, 3 korrik – 31 gusht 2025
Prishtinë, 3 korrik 2025 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se më 3 korrik 2025 ka filluar periudha për kundërshtimin e pasaktësive në Listën Preliminare të Votuesve për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, e cila do të përfundojë më 31 gusht 2025.
Gjatë kësaj periudhe 60 ditore, çdo person me të drejtë vote që nuk figuron në Listën Votuese, është caktuar gabimisht në qendër tjetër të votimit apo ka të dhëna të tjera të pasakta, mund të kërkojë nga KQZ rishikimin e saj:
· përmes platformës elekronike: https://qv.kqz-ks.org, ose
· duke u paraqitur në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën përkatëse.
Po ashtu, gjatë kësaj periudhe votuesi mund ta kundërshtojë pasaktësinë e Listës Preliminare të Votuese edhe për ndonjë emër të votuesit për të cilin pretendon se nuk duhet të figurojë në këtë listë, përfshirë edhe rastet kur në këtë listë figuron emri i ndonjë personi të vdekur. Në këtë rast, ankesa duhet të parashtrohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Për të kundërshtuar pasaktësitë për Listën Preliminare të Votuesve, votuesi duhet të indentifikohet me njërin nga tri dokumentet: Letërnjoftim i vlefshëm; pasportë e vlefshme; leje e vozitjes e vlefshme.