Fillim i vështirë i Zhegrovës te Juventusi, s’ka luajtur fare në gjashtë ndeshjet e fundit - Gazeta Express
string(88) "fillim-i-veshtire-i-zhegroves-te-juventusi-ska-luajtur-fare-ne-gjashte-ndeshjet-e-fundit"

Futboll

Gazeta Express

01/11/2025 14:06

Fillim i vështirë i Zhegrovës te Juventusi, s’ka luajtur fare në gjashtë ndeshjet e fundit

Futboll

Gazeta Express

01/11/2025 14:06

Ylli i kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova kaloi me shumë bujë te Juventusi nga Lille, në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës.

Ai u transferua në Torino nga Lille për një shumë afër 20 milionë eurosh (përfshirë edhe bonuset), shkruan “Gazeta Express”.

Ashtu siç pritej, Edon Zhegrova po kalon në një fillim të vështirë te “Zonja e Vjetër” – jo për shkak të aftësive të tij futbollistike – por për shkak të formës së tij fizike.

Deri në transferimin te Juventusi, Edon Zhegrova nuk e kishte luajtur asnjë minutë për tetë muaj.

Ylli kosovar ishte lënduar në ndeshjen Marseille 1-1 Lille, më 14 dhjetor 2024.

Filimisht, lëndimi nuk dukej serioz, mirëpo pas disa testimeve me radhë, u konfirmua lëndimi i tij më i rëndë, dhe kështu Zhegrova e humbiste sezonin.

Ai nuk luajti më deri më 16 shtator 2025, kur edhe debutoi me Juventusin.

Zhegrova u paraqit për katër minuta në barazimin 4-4 të Juventusit ndaj Dortmundit në Ligën e Kampionëve.

Më pas, ai nuk e nisi ndeshjen ndaj Veronas më 20 shtator, duke luajtur vetëm tetë minuta në atë takim.

Më së shumti minuta deri më tani me fanellën e Juventusit, Zhegrova pati në ndeshjen ndaj Atalantës, kur luajti 27 minuta më 27 shtator.

Në dy ndeshjet e radhës, ndaj Villarrealit dhe Milanit, Zhegrova mbeti në bankën rezervë, duke mos u futur fare në lojë.

E, pastaj erdhën dy ndeshjet me kombëtaren e Kosovës, me datat 10 dhe 13 tetor, ndaj Sllovenisë dhe Suedisë, respektivisht.

Zhegrova luajti për tre minuta ndaj Sllovenisë në Prishtinë. 20 minuta i pati në dispozicion ndaj Suedisë.

Në ndeshjen pasardhëse, me Juventusin, ndaj Comos, Zhegrova nuk ishte i ftuar fare shkaku i një lëndimi. Mirëpo, edhe pse u rikthye nga ai lëndim, prapë, sulmuesi kosovar nuk pati minuta në këmbët e tij në dy ndeshjet e ardhshme, ndaj Lazios e ndaj Udineses.

Deri te ndeshja me Lazion, në krye të pankinës te Juventusi ishte Igor Tudor, i cili kritikohej për mosfutjen e Zhegrovës në lojë, mirëpo një gjë të tillë s’e bëri as Massimo Brambilla, trajneri i përkohshëm i Juventusit për përballjen me Udinesen.

Madje, sipas mediumeve italiane, më konkretisht “Football Italia”, Zhegrova nuk pritet ta nisë nga fillimi as në ndeshjen ndaj Cremoneses sonte. Sipas tyre, trajneri i ri, Luciano Spalletti e preferon anësorin portugez, Francisco Conceicao para tij.

Mungesa e minutave në këmbët e “luanit dardan” do të jetë një sinjal i keq për kombëtaren e Kosovës, e cila po përgatitet për dy ndeshje të mëdha këtë muaj.

Zhegrova, megjithatë, pritet të jetë një nga emrat e ftuar nga selektori, Franco Foda për ndeshjet e nëntorit, që Kosova i zhvillon ndaj Sllovenisë dhe Zvicrës.

Kosova luan ndaj Sllovenisë si mysafire më 15 nëntor, teksa më 18 nëntor i bën konak Zvicrës në Prishtinë.

Këto ndeshje luhen në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit 2026 dhe këto janë përballjet përmbyllëse të këtij cikli kualifikues.

Kosova momentalisht është e dyta në Grupin B, me shtatë pikë të tubuara në katër takime. E para është Zvicra me dhjetë pikë. Në vendin e tretë është Sllovenia me tri pikë, teksa Suedia është e fundit me një pikë./GazetaExpress/