Kanë mbetur edhe pak orë para mbylljes së afatit për dorëzimin e kandidaturave për kryetarë në zgjedhjet e brendshme të qendrave të Lëvizjes Vetëvendosje.
Tetë ditë pas hapjes së afatit për aplikime, kur edhe u shpallën zgjedhjet e brendshme, dhjetëra aktivistë të Vetëvendosjes kanë shpallur kanditaturat e tyre në qendra përkatëse.
Emrat që kanë shpallur kandidaturat, e të cilët i kanë njoftuar publikisht ato, përfshijnë kryetar komunash, deputetë, asamblistë e aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, raporton Paparaci.
Armend Muja, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, është një nga emrat më të rëndësishëm të partisë në nivelin qendror, i cili për herë të parë synon të udhëheqë me Qendrën e LVV-së në Mitrovicë, vendin e tij të origjinës.
Muja njoftoi javën e kaluar se i ka hyrë zyrtarisht garës për të parin e Lëvizjes Vetëvendosje në Qendrën e Mitrovicës. Muja hyn në këtë proces si koordinator i degës deri në shpalljen e zgjedhjeve të brendshme më 15 gusht.
Një emër tjetër i rëndësishëm brenda subjektit që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti, është Alban Hyseni, një kuadro fituese e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.
Hyseni, shpalli kandidaturën për kryetar të Qendrës së LVV-së në Gjilan javën e kaluar, në ditën e hapjes së afatit të aplikimit.
“Tani për rrugëtimin tonë të përbashkët në udhëheqjen e Qendrës në Gjilan, në parimet e Lëvizjes dhe vlerave që përfaqëson, besimi dhe mbështetja juaj është përgjegjësi dhe detyrë për mua njëkohësisht”, shkroi kryetari i Komunës së Gjilanit.
Por, nuk dihet ende kush do të garojë për qendrën kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje: atë në Prishtinë.
Në kryeqendër, nuk është bërë i ditur asnjë aplikim për kryetar të qendrës së LVV-së deri sot.
Kryetari paraprak i qendrës, Arben Vitia, i cili po ashtu koordinoi qendrën deri në shpalljen e zgjedhjeve të brendshme javën e kaluar, përmes një postimi në Facebook njoftoi të enjten rreth procesit të brendshëm zgjedhor në qendrën në Prishtinë.
Aty, ka bërë të ditur Vitia, janë zgjedhur organet drejtuese në 24 pika nëpër lagje e fshatra të kryeqytetit. Por, ish-kandidati i LVV-së për kryetar të Prishtinës nuk tregoi nëse do të rikandidojë për kryetar të qendrës së partisë në kryeqytet.
Egzon Azemi, Sekreatari i Qendrës së LVV-ës në Prishtinë, ka thënë të martën për Paparacin se emrat e kandidatëve për Prishtinën pritet të bëhen publik pas mbylljes së afatit.
Ndërkohë, në Qendrën e Vetëvendosjes në Drenas dy anëtarë kanë zyrtarizuar kanditaturat e tyre për udhëheqjen e kësaj qendre.
Koordinatorja e kësaj qendre në Drenas dhe njëherësh asambleistja e VV-së, Egzona Tërdevci, pesë ditë më parë ka zyrtarizuar kandidaturën e saj.
“Nga janari i këtij viti kam qenë kordinatore e qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Drenas, përvojë kjo nga e cila kam arritur të njoh edhe më mirë organizatën e anëtarësinë e qendrës sonë por edhe të kuptoj nevojat e sfidat që i kemi si qendër. Unë kam dorëzuar sot kandidaturën time për kryetare të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Drenas”, ka shkruar ajo në njoftimin e saj në Facebook.
Krahas Tërdevcit, kandidaturën për të parin e VV-së në Drenas e ka zyrtarizuar edhe asamblisti Muhamet Kurtaj.
“Unë jam një nga aktivistët e parë të qendrës së LVV-së në Drenas, dhe e di në thelb punën dhe funksionimin e saj. Prandaj e kam shprehur gatishmerinë time për të t’u ngarkuar me përgjegjesinë e Kryetarit të qendrës tonë”, shkruhet ndër të tjera në njoftimin e tij.
Në Deçan, asamblisti i VV-së në këtë komunë, Faton Selmanaj, ka dorëzuar kanditaturën e tij për kryetar qendre.
Lajmi është bërë i ditur nga ish-kandidati për kryetar të Deçanit nga radhët e kësaj partie, Orges Tafilaj, teksa ka përkrahur publikisht Selmanajn.
“Me këtë rast, mëqë miku im (mbi të gjitha i idealit), aktivisti shëmbullor Faton Selmanaj, veçse ka shpallur kandidaturën për të udhëhequr Qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje! në Deçan, publikisht deklaroj se e ka përkrahjen time maksimale. Fatoni ka qëndruar stoikisht përball fortunave kur shpifësit (sidomos të tanishëm) shikonin interesin e tyre”, shkruan ai në profilin e tij në Facebook.
Edhe asamblistja e Vetëvendosjes në Viti, Liridona Bislimi, synon të udhëheqë qendrën e kësaj partie në Viti. Ajo vetë dy ditë pas shpalljes së zgjedhjeve të brendshme, ka zyrtarizuar kandidaturën e saj.
“Duke kandiduar për këtë pozitë, do të mbetem e përkushtuar në ngritjen e vlerave dhe arritjeve sa më të mëdha të grave në antarësi, sepse, angazhimi i grave në politikë nuk duhet të shihet vetëm numër, por si kapacitet e dije dhe si potencial për ndryshime thelbësore shoqërore”, shkruan ndër të tjera ajo.
Edhe në Fushë Kosovë deri më tani asambleisti, Durim Hajra, ka njoftuar se ka dorëzuar kandidaturën e tij për të udhëhequr me qendrën e VV-së në këtë komunë. Ndërkohë, që nu dihet nëse ka ndonjë kundërkandidat.
“Kandidatura ime bëhet gjithnjë duke e respektuar statutin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në bazë të së cilit çdo aktivist i cili i plotëson kushtet e parapara, mund të jetë kandidat”, ka njoftuar ndër të tjera ai.
Gjatë ditës së djeshme është zyrtarizuar kandidatura e parë për kryetar të LVV-së në Prizren. ish-drejtori i Urbanizmit në Prizren, Beni Kizolli ka njoftuar se ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë qytet.
“Sot, kam dorëzuar aplikacionin pranë KZP-së, për të qenë kandidat për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! – Qendra Prizren, ashtu siç parashihet me statutin e rregulloret e Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, bëri të ditur ai në Facebook.
Krahas zgjedhjes së kryetarëve të Qendrave, në këto zgjedhje të brendshme, anëtarët e Vetëvendosjes, do të votojnë edhe për kryetarë të forumeve të rinisë dhe asaj të gruas. /Paparaci.com