FIFA vendos për lojën Serbi – Shqipëri, ja sa shikues do të jenë në stadium - Gazeta Express
string(72) "fifa-vendos-per-lojen-serbi-shqiperi-ja-sa-shikues-do-te-jene-ne-stadium"

Futboll

Gazeta Express

30/09/2025 9:25

FIFA vendos për lojën Serbi – Shqipëri, ja sa shikues do të jenë në stadium

Futboll

Gazeta Express

30/09/2025 9:25

FIFA ka vendosur përfundimisht rreth shikuesve sa i përket ndeshjes Serbi – Shqipëri.

Komisioni Disiplinor i shtëpisë së futbollit botëror në fakt e ka dënuar Federatën Serbe të Futbollit me mbylljen e pjesshme të stadiumit të Leskovcit, aty ku do të zhvillohet ndeshja mes serbëve dhe shqiptarëve, shkruan “Gazeta Express”.

Ky vendim erdhi pas trazirave dhe incidenteve që ndodhën në Beograd në muajin e kaluar në ndeshjen mes Serbisë dhe Anglisë.

Prandaj, ndonëse vendimi i FIFA-s nuk është bërë ende publik dhe zyrtar, mediumi serb “Sportklub” raporton se në stadium për ndeshjen e 11 tetorit, e vlefshme për kualifikimet e Botërorit 2026, do të jenë prezentë vetëm 6,500 shikues nga 8136 sa është kapaciteti i stadiumit të Leskovcit.

Pra, FIFA e ka dënuar Federatën Serbe me mbylljen e 20 për qind të stadiumit, ndërkohë që e ka gjobitur me të holla, më saktësisht me 80 mijë franga zvicerane.

Serbët kishin kërkuar vetë nga FIFA për zhvendosjen e lojës nga Beogradi në Leskovc shkaku i situatës së tensionuar dhe të paqëndrueshme shkaku i protestave të vazhdueshme në kryeqytetin serb.

Në rast të ndonjë incidenti të radhës në lojën me Shqipërinë, FIFA ia ka tërhequr vërejtjen Federatës Serbe, të cilën e ka paralajmëruar me dënime edhe më të rënda.

Shqipëria dhe Serbia barazuan në Tiranë në ndeshjen e parë mes tyre, ndërsa ajo e Leskovcit konsiderohet si një finale mes këtyre dy Kombëtareve, të cilat e synojnë vendin e dytë në grup, i cili çon në “play-off” dhe jep shpresa për kualifikim eventual në Kupën e Botës 2026. /Gazeta Express