Ky vendim i ka kushtuar një kombëtareje mundësinë për të qenë pjesë e Kupës së Botës 2026.
FIFA ka konfirmuar zyrtarisht vendosjen e dy humbjeve në tavolinë me rezultat 3-0 në kualifikimet e Botërorit, pasi një apelim dështoi.
Kualifikimet për turneun e vitit 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë, janë në faza të ndryshme në gjashtë kontinentet.
Shumë polemika kanë ndodhur, veçanërisht në zonat e Afrikës dhe Azisë.
Në Azi, Pakistani u pezullua përkohësisht nga FIFA për ndërhyrje qeveritare, ndërsa Kongo u përjashtua për arsye të ngjashme në kualifikimet afrikane.
Në grupin e parë të Kongos ishte edhe Eritrea, e cila u tërhoq para nisjes së kualifikimeve për shkak të shqetësimeve të qeverisë se lojtarët do të tentonin të arratiseshin gjatë ndeshjeve jashtë vendit.
Ndërkohë, në Grupin H, Guinea Ekuatoriale shihej si një nga favoritët për të kaluar, në një grup ku ishin gjithashtu Liberia, Tunizia, Namibia, Malawi dhe Sao Tome e Principe.
Ata siguruan fitore të rëndësishme 1-0 ndaj Namibisë dhe Liberisë në nëntor 2023, që do t’i kualifikonin në raundin e dytë si vendi i dytë i grupit.
Por gjashtë muaj më vonë, FIFA i dha fitoren 3-0 në tavolinë kundërshtarëve të tyre, duke argumentuar përdorimin e një lojtari të paautorizuar që kishte luajtur në të dyja ndeshjet.
Lojtari ishte ish-sulmuesi i Middlesbrough dhe Birmingham, Emilio Nsue, i cili madje shënoi golat vendimtarë në të dyja fitoret.
Ai u dënua nga FIFA me gjashtë muaj pezullim nga futbolli ndërkombëtar.
Ajo që e bën rastin të pazakontë është se Nsue nuk ishte debutues, por në fakt golashënuesi më i mirë në historinë e Guinesë Ekuatoriale, me 22 gola.
Kontesti lidhet me faktin se sulmuesi i lindur në Mallorca kishte luajtur më herët për moshat e Spanjës.
Ndeshja e fundit e tij për kombëtaren U21 të Spanjës ishte në vitin 2011, ndërsa FIFA në 2013 kishte konkluduar se ai nuk ishte pastruar formalisht për të luajtur me Guinenë Ekuatoriale, duke e shpallur të paautorizuar për dy ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës 2014.
Federata e futbollit të Guinesë Ekuatoriale (Feguifut) dorëzoi një kërkesë të re këtë vit për ta bërë të ligjshëm Nsue, e cila u pranua nga FIFA në mars.
Feguifut argumentoi me sukses se çdo person me prind nga Guinea Ekuatoriale është automatikisht qytetar i vendit.
Pas kësaj, ata apeluan për të rikthyer gjashtë pikët e humbura në tavolinë, por Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) hodhi poshtë kërkesën.
Arsyeja: apelimi nuk kishte përfshirë federatat e Namibisë dhe Liberisë si palë në proces.
Si pasojë, dy humbjet në tavolinë të vendosura nga FIFA mbeten në fuqi.
Nëse apeli do të ishte pranuar, Namibia do të ishte eliminuar nga raundi i dytë i kualifikimeve.
Vendimi i CAS, i shpallur më 28 korrik dhe bërë publik të enjten (sipas BBC Sport), shkruan:
“Meqë apeli është drejtuar vetëm ndaj FIFA-s dhe nuk përfshin NFA dhe LFA si bashkë-paditur, paneli konkludon se apeli duhet të hidhet poshtë.”
FIFA theksoi se ndëshkimi ishte “i butë” për Guinenë Ekuatoriale, pasi në të kundërt ata mund të ishin përjashtuar tërësisht nga kualifikimet për Botërorin, për shkak të shkeljeve serioze./GazetaExpress/