FFK po e kremton 8-vjetorin e anëtarësimit të Kosovës në UEFA pa e përmendur fare meritorin kryesor, të ndjerin Fadil Vokrri - Gazeta Express
string(125) "ffk-po-e-kremton-8-vjetorin-e-anetaresimit-te-kosoves-ne-uefa-pa-e-permendur-fare-meritorin-kryesor-te-ndjerin-fadil-vokrri-1"

Futboll

Gazeta Express

03/05/2024 15:35

FFK po e kremton 8-vjetorin e anëtarësimit të Kosovës në UEFA pa e përmendur fare meritorin kryesor, të ndjerin Fadil Vokrri

Futboll

Gazeta Express

03/05/2024 15:35

Sot bëhen 8 vjet nga anëtarësimi i Kosovës në UEFA. Me 28 vota pro, 24 kundër dhe dy abstenime në kongresin e UEFA-s në Budapest, më 3 maj 2016, Kosova u pranua si anëtare me të drejta të plota, duke u bërë kështu anëtarja e 55-të e kësaj organizate evropiane të futbollit.

Shumë sakrifica e mund u desh për këtë arritje, e cila erdhi me vonesë, por pa dyshim që ishte më shumë se e mirëseardhur, shkruan Gazeta Express.

E arkitekti dhe motori që shtyu përpara të gjithë këtë proces ishte presidenti i atëhershëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, legjenda e ndjerë, Fadil Vokrri.

Vokrri kujtohet nga institucionet e vendit tonë dhe nga mbarë opinioni futbolldashës në Kosovë dhe jashtë saj si njeriu kryesor për pranimin e Kosovës në instancat më të larta të futbollit, FIFA dhe UEFA.

Megjithatë, Federata e Futbollit e Kosovës dhe kryetari i saj, Agim Ademi nuk e kanë përmendur fare kontributin e jashtëzakonshëm të Vokrrit.

Ademi në postimin e tij shkroi për tetë vjetorin e pranimit të Kosovës në UEFA, duke e cilësuar si datë historike të Republikës së Kosovës.

Por, në shkrimin e tij të gjatë, nuk zuri askund vend emri i njeriut më meritor për këtë sukses, Fadil Vokrrit.

As në postimin e Federatës së Futbollit, Vokrri nuk u përmend askund.

Sot, opinioni futbolldashës e media të shumta gjatë tërë ditës publikuan foto e video nga momenti i pranimit të Kosovës tetë vite më herët në Kongresin e Budapestit.

Sidomos, fjalimi i Vokrrit atëkohë si çdoherë edhe tash po përmendet vazhdimisht në rrjetet sociale.

“Jam shumë i emocionuar t’iu drejtohem pasi sot Kosova është pranuar në UEFA. Ky është një moment historik për futbollin kosovar. Një lajm i jashtëzakonshëm për futbollistët, për sportdashësit. Betohemi se do t’i mbrojmë vlerat e futbollit. Faleminderit për votat që na bënë anëtaren e 55-të të UEFA-s. Një drejtësi e vonuar, por një e arritur e jashtëzakonshme”, kishin qenë fjalët e legjendës së futbollit kosovar.

Anëtarësimi në UEFA iu mundësoi ekipeve kosovare që të marrin pjesë në garat evropiane të futbollit. Po ashtu, kjo i hapi rrugë Kosovës që të anëtarësohet edhe në Federatën Botërore të Futbollit – FIFA, në Meksiko Siti, në kongresin e mbajtur më 12 dhe 13 maj 2016.