FFK-ja thotë se do t’i testojë futbollistët për Covid-19, pas rastit të parë në Superligë - Gazeta Express
string(87) "ffk-ja-thote-se-do-ti-testoje-futbollistet-per-covid-19-pas-rastit-te-pare-ne-superlige"

FFK-ja thotë se do t’i testojë futbollistët për Covid-19, pas rastit të parë në Superligë

Gazeta Express

21/05/2020 16:49

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), ka thënë se shumë shpejt të gjithë futbollistët dhe i tërë stafi i klubeve të Ipko Superligës do të testohen për Covid-19, një ditë pas rastit të parë me koronavirus në ligën elitare kosovare.

Klubet e Superligës e morën dritën e gjelbër për t’u kthyer në stërvitje në fillim të javës, edhe pse në mungesë të testimeve të futbollistëve dhe stafit për koronavirus, duke i nxitur disa klube të shprehin shqetësimin për shëndetin e lojtarëve të vet, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Futbollisti i Dritës Izair Emini doli pozitiv me koronavirus të mërkurën, ditën kur kishte synuar t’i bashkohej klubit në stërvitje. Sulmuesi nga Maqedonia e Veriut tani detyrohet të vetizolohet në shtëpinë e vet në Tetovë.

Pas reagimit të disa klubeve të Superligës ndaj këtij rasti dhe ngritjes së shqetësimit për mungesën e testimit të futbollistëve, FFK-ja ka dalë sot me një komunikate duke njoftuar se shumë shpejt do të sigurohen testet.

“Federata e Futbollit e Kosovës njofton klubet, futbollistët dhe opinionin e gjerë që është në koordinim të plotë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe shumë shpejt do të fillojë testimi i të gjithë futbollistëve dhe stafeve të klubeve të Superligës për Covid-19. Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtori i IKSHPK-së, prof.dr. Naser Ramadani, me kërkesë të FFK-së, i kanë ndërmarrë të gjitha masat për t’i siguruar testet e nevojshme për futbollistët dhe stafin e klubeve dhe tashmë janë krijuar edhe ekipet mjekësore të cilat do t’i kryejnë testimet tek futbollistët në çdo klub”, shkruhet në njoftimin e FFK-së.

Organi qeverisës i futbollit në vend u ka bërë thirrje futbollistëve të jenë të qetë dhe të vazhdojnë punën pa panik me udhëzimet e parapara nga IKSHPK, me shpresë dhe besim se i gjithë procesi i testimit do të kalojë mirë dhe asnjë prej futbollistëve nuk do të rezultojë pozitiv në Covid-19.

“Me këtë rast kërkojmë nga të gjithë ata të cilët po reagojnë pa sens dhe pa dijeni, që të kenë kujdes për pjesën e tyre të përgjegjësisë dhe të zbatojnë në përpikëri udhëzuesin dhe protokollin higjieno-sanitar për stërvitje të dërguar nga FFK dhe t’u krijojnë sa më shumë lehtësira dhe siguri futbollistëve në këtë periudhë”, thuhet tutje në njoftim. /Gazeta Express/