Festivali Anibar shpall fituesit e edicionit të 16-të - Gazeta Express
string(53) "festivali-anibar-shpall-fituesit-e-edicionit-te-16-te"

Lajme

Gazeta Express

21/07/2025 10:34

Festivali Anibar shpall fituesit e edicionit të 16-të

Lajme

Gazeta Express

21/07/2025 10:34

Festivali Ndërkombëtar i Animacionit Anibar ka shpallur fituesit e edicionit të 16-të në ditën
përmbyllëse më 20 korrik, duke finalizuar kështu plot një jave të suksesshme me animacion,
diskutime dhe energji krijuese në Pejë.
Në ngjarjen përmbyllëse të festivalit ishte i pranishëm edhe Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje,
njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Krijimet më të spikatura të këtij viti të cilat u përzgjodhen në disa kategori garuese, sollën
rrëfime që prekin, sfidojnë dhe shtrojnë pyetje thelbësore për kohën në të cilën jetojmë, në
përputhje me temën e këtij edicioni të festivalit: “WTF – What’s the Future?”.
Mes kategorive garuese të këtij edicioni ishin:
Garat ndërkombëtare dhe ballkanike me juri: Helga Fodorean, menaxhere kulturore dhe
producente filmash, Laura Almantaitė, drejtoreshë festivalesh dhe producente filmash, Marko
Tadić, artist me përvojë në vizatim, instalacion dhe animacion, Tal Kantor, regjisore dhe fituese
çmimesh ndërkombëtare, dhe Tomek Popakul, drejtor i animacionit i njohur për filmat Ziegenort,
Acid Rain dhe Zima.
Garat studentore dhe programi “Pitch It!” me juri: Bastien Dubois, regjisor francez, Rianne
Stremmelaar, regjisore dhe ilustratore, dhe Vasco Sá, bashkëthemelues i BAP-Animation
Studios.
Garat për filmat për të Drejtat e Njeriut dhe video animacioneve muzikore, për të cilat
gjykuan: Anna Vasova, skenariste dhe producente, Draško Ivezić, regjisor filmash të animuar,
skenarist, producent, aktor zëri, dhe bashkëthemelues i Adriatic Animation në Kroaci, dhe Yves
Nougarede, programues filmi në Festivalin Ndërkombëtar të Animacionit Annecy.
Garat për audiencën e të rinjve me juri pesë të rinj nga Kosova: Leka Gjonbalaj, artist
autodidakt i specializuar në pikturë me vaj, art mural dhe dizajn karakteresh, Rina Lasku, artiste
vizuale dhe animatore nga Gjakova, Rrezarta Sadriu, animatore 2D dhe tregimtare vizuale, Gent
Ademaj, animator dhe dizajner grafik, dhe Alisa Fejza, animatore dhe artiste multimediale.
Në kategorinë garuese ndërkombëtare, çmimin kryesor e fitoi filmi “Dog Alone”, me regji të
Marta Reis Andrade, një rrëfim emocional që flet për vetminë, braktisjen dhe lidhjet njerëzore
përmes një paralelizmi të ndjerë midis një qeni të harruar dhe përvojave personale të regjisores.
Për këtë kategori, juria ndau gjithashtu çmimin “Përmendje e Veçantë” (Special Mention) për
filmin “Dollhouse Elephant,” me regji të Jenny Jokela, duke vlerësuar se filmi i prek të gjitha
shqisat e njeriut.
Në kategorinë garuese të filmave nga Ballkani, çmimin e parë e mori filmi “How”, me regji dhe
skenar te Marko Meštrović, i cili flet për qenien dhe kalimin përmes fazave të pafundme të
ekzistencës.
Në garën studentore, triumfues ishte filmi “Children of the Bird,” i Julia Tudisco, një film
mitologjik fiktiv rreth lindjes dhe vdekjes së planetit tonë. Juria vlerësoi se filmi lidhet thellësisht
me temën e sivjetshme të festivalit “Çfarë është e ardhmja?” e cila është më urgjente se kurrë.
Ndërkaq, dy përmendje të veçanta shkuan për “The Eating of an Orange” nga May
Kindred-Boothby dhe “Poppy Flowers” nga Evridiki Papaiakovou.
Çmimin e parë në garën e programit “Pitch It!”, i cili ofron një hapësirë për prezantimin e
projekteve në zhvillim nga animatorë të rinj, e rrëmbeu Flaka Kokolli me projektin “I Still
Haven’t Cried.” Në vendin e dytë u rendit Verica Tenekedjieva me projektin “Transporting
Woman,” dhe në vendin e tretë Katarina Zaharijev dhe Marija Maletić me “The Last Bookstore
in the World.”
Në kategorinë e të drejtave të njeriut, juria e vlerësoi me çmimin kryesor filmin “Romina” me
regji të Bee Grandinetti, një film i bazuar në historinë e vërtetë të një vajze 14-vjeçare që
përballet me një shtatëzani të paplanifikuar në një shtet në SHBA ku aborti është i ndaluar. Një
përmendje e veçantë iu dha filmit “Cimarron,” me regji të Rémi Vandenitte dhe Cédric
Bourgeois
Në garën për video animacionet muzikore, çmimi kryesor i shkoi klipit
“feelslikeimfallinginlove” nga Coldplay, me regji dhe skenar te Raman Djafari dhe prodhuar
nga Alexander Handschuh. Tema e trajtuar është historia e një çifti shpirtrash binjakë që udhëton
mes botëve dhe formave për të gjetur njëri-tjetri. Kurse, përmendja e veçantë shkoi për videon
muzikore të Chris Lambourne, “Bob Dylan’s Big Dick.”
Fituesi për kategorinë audienca e te rinjve u shpall Vera van Wolferen me filmin “Down in the
Dumps,” një storje që tregon sfidat e një buburreci me vetëvlerësim të ulët, duke na rikujtuar se
pranimi i vetes është më i rëndësishëm se pritshmëritë e të tjerëve.
Përmendja e veçantë shkoi për “The Legend of the Hummingbird” nga Morgan Devos, i cili
përcon mesazhin se në momentet më të vështira, edhe krijesa më e vogël mund të tregojë
guximin më të madh.
Anibar falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, partnerët, dhe publikun për një tjetër edicion që e
vendos Pejën dhe Kosovën në qendër të hartës ndërkombëtare të animacionit. Me ide të
guximshme, rrëfime të ndjera dhe pyetje provokuese mbi të ardhmen, edicioni i sivjetshëm me
temen “WTF” vërtetoi fuqinë transformuese të animacionit.