Vinícius Júniori shënoi dy gola për t’i dhënë Real Madridit një fitore spektakolare 3-2 ndaj Atletico Madridit në “Bernabeu”, duke i dhënë fund edhe “thatësirës” së golave ndaj rivalit lokal.
Ndeshja nisi fuqishëm nga vendasit, me raste nga Dani Carvajal dhe Federico Valverde, ndërsa edhe mysafirët u përgjigjën me një mundësi të mirë nga Marcos Llorente.
Megjithatë, ishte Atletico që kaloi në epërsi para pushimit, kur Ademola Lookman shënoi pas një asistimi të zgjuar nga Giuliano Simeone.
Në pjesën e dytë, gjithçka ndryshoi brenda pak minutash.
Fillimisht, Vinícius barazoi nga penalltia në minutën e 52-të, ndërsa më pas Federico Valverde shënoi për 2-1 pas një gabimi në mbrojtjen e Atleticos, tre minuta më vonë.
Mysafirët nuk u dorëzuan dhe barazuan me një supergol të Nahuel Molina nga distanca.
Por festa e tyre zgjati pak, pasi Vinícius realizoi një tjetër gol të bukur për 3-2, në minutëm e 72-të.
Në vazhdim, Jude Bellingham u rikthye nga lëndimi, ndërsa Valverde u përjashtua me karton të kuq në minutën e 77-të, duke i dhënë shpresë Atleticos.
Në minutat e fundit, rastet nuk munguan – Julian Alvarez goditi shtyllën, ndërsa portieri Andriy Lunin bëri disa pritje vendimtare – por Atletico nuk arriti të barazojë.
Me këtë fitore, Real Madridi mbetet në ndjekje të kreut, katër pikë pas Barcelonës, ndërsa Atletico Madridi vazhdon në vendin e katërt me 57 pikë./GazetaExpress/