Një adoleshent u ther për vdekje dhe 426 persona u arrestuan gjatë dhunës së përhapur në të gjithë Francën pas fitores së Paris Saint-Germain në Ligën e Kampionëve të Evropës.
Policia raportoi për trazira dhe grabitje teksa klubi mposhti Inter Milanin në Mynih të Gjermanisë, në finalen e Ligës së Kampionëve të shtunën mbrëma.
Një nga incidentet më të rënda ndodhi në Dax, në jugperëndim të Francës, ku një 17-vjeçar u godit me thikë në bark.
“Ai ishte pjesë e një turme që festonte fitoren e PSG-së në një zonë të caktuar për tifozët, dhe vdiq në spital nga plagët e marra”, tha një zëdhënës lokal i policisë, pa zbuluar identitetin e viktimës.
“Një hetim është në zhvillim dhe po përdoren pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar përgjegjësit.”
Në Grenoble, në lindje të Francës, një makinë që po përpiqej të bënte një kthesë të fortë në vijat e tramvajit, u përplas me një familje të re prej katër personash, duke i plagosur rëndë.
Tre prej të lënduarve, dy prej tyre gra, ishin ende në kujdes intensiv të dielën në mëngjes, ndërsa drejtuesi i paidentifikuar i makinës ndodhet në paraburgim.
Më shumë se 205 të lënduar u raportuan në të gjithë Francën, përfshirë 13 pjesëtarë të forcave të sigurisë, ndërsa euforia e festimeve u kthye në kaos.
Presidenti i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, bëri thirrje për qetësi të dielën, ndërsa PSG po përgatitej për një paradë fitoreje në qendër të Parisit, që ishte planifikuar të fillonte në Champs-Élysées në orën 17:00.
Këtij mesazhi iu bashkua edhe sulmuesi yll i klubit, Ousmane Dembélé, mes frikës për përplasje të mëtejshme.
“Do të jetë e pabesueshme në Paris”, tha Ousmane për televizionin francez Canal+ pas finales.
“Por ju lutem, mos shkatërrojmë asgjë! Jo dhunë. Jemi të qetë, thjesht po festojmë!”
Një total prej 294 personash u arrestuan për dhunë dhe grabitje të lidhura me futbollin në Paris, ndërsa ministri i Brendshëm i Francës, Bruno Retailleau, i quajti autorët e trazirave “barbarë”.
Duke reaguar ndaj dhunës në X, z. Retailleau tha: “Tifozët e vërtetë të PSG-së janë të entuziazmuar për performancën madhështore të ekipit të tyre.
“Në të njëjtën kohë, barbarët kanë dalë në rrugët e Parisit për të kryer krime dhe për të provokuar forcat e rendit.
“U kam kërkuar forcave të sigurisë të reagojnë me vendosmëri ndaj këtyre abuzimeve.
“Shpreh mbështetjen time për Prefektin e Policisë dhe të gjithë oficerët që po kujdesen për sigurinë e të gjithëve këtë mbrëmje.
“Është e papranueshme që nuk mund të festosh pa pasur frikë nga egërsia e një pakice banditësh që nuk respektojnë asgjë.”
Rrugët kryesore pranë stadiumit Parc des Princes, shtëpia e PSG-së, u pushtuan nga tifozët, duke bllokuar qarkullimin.
Policia e trazirave u përpoq të rivendoste rendin duke përdorur gaz lotsjellës dhe shkopinj gome.
Makina u dogjën pranë Porte de Saint-Cloud – një nyje kryesore e trafikut, ku fishekzjarrë u hodhën ndaj policisë.
Turma të mëdha u mblodhën në të gjitha sheshet kryesore të qytetit, përfshirë République, Bastille dhe Nation, ku pamje të postuara në X treguan disa nga skenat më të dhunshme.
Në Bastille, një grua 23-vjeçare u plagos rëndë pasi ra mbi barriera nga kolona e famshme që përkujton Sulmin ndaj Bastijës në vitin 1789.
Një rrethim sigurie ishte krijuar rreth Champs-Élysées, me dyqane të mëdha dhe banka që përdornin grila metalike për të mbrojtur veten nga grabitësit.
Dyqanet zyrtare të PSG-së në Champs dhe pranë stadiumit u fortifikuan gjithashtu gjatë fundjavës.
Megjithatë, një dyqan sportiv Foot Locker në Champs-Élysées u thye dhe u vodhën mallra, përfshirë atlete.
Një dyqan mobiljesh Maisons du Monde në rrugën pranë, Avenue Ëagram, u grabit gjithashtu, sipas një zëdhënësi të policisë.
“Turmat janë jashtë kontrollit”, tha një dëshmitar okular, i cili kërkoi të quhej Jacques, 18 vjeç.
“Shumë njerëz thjesht po festojnë fitoren, në një natë historike për PSG-në, ndërsa të tjerë vetëm kërkojnë dhunë, të shkatërrojnë ose të vjedhin – është turp.”
Të rinj me maska dhe kapuçë u panë ndërkohë duke bredhur nëpër qytet në kërkim të telasheve.
Motocikleta dhe dyshekë të hedhur u dogjën, duke lëshuar tym të zi të dendur në qiellin e natës.
Pati edhe përleshje pranë Kullës Eiffel, e cila ishte ndriçuar me ngjyrat e PSG-së – e kuqe, e bardhë dhe blu – pas fitores 5-0.
Rreth 5,400 oficerë policie ishin në detyrë në të gjithë Parisin, pasi telashe ishin parashikuar, çfarëdo që të ishte rezultati.
Tifozët e PSG-së kanë një reputacion gjithnjë e më të keq për huliganizëm, dhe disa prej tyre sulmuan tifozë të Arsenalit dhe Aston Villës gjatë këtij edicioni të Ligës së Kampionëve.
Pati gjithashtu trazira të raportuara në Mynih, ku tifozët rivalë francezë dhe italianë u përleshën me njëri-tjetrin.
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...