Vepra Divine Feminine e kompozitores britaniko-iraniane Shiva Feshareki është shumë gjëra njëherësh, por nuk është – siç u prezantua – një operë.
Shfaqja u dha premierë në St Martin-in-the-Fields në Londrën qendrore, ku hapësira e kishës u shndërrua në një “peizazh zanor 360°”, me amplifikim të ndërlikuar që përfshinte navën, galerinë dhe altarin.
Në vend të një opere klasike, Divine Feminine i afrohet më shumë një instalacioni artistik, një forme teatri muzikor apo edhe një rituali meditativ. Ajo që i mungon është pikërisht thelbi që zakonisht përcakton operën: një histori e ndërtuar dhe e treguar përmes muzikës dhe këngës.
Kjo nuk është çështje purizmi stilistik. Termat kanë rëndësi sepse krijojnë një kornizë pritjesh për publikun. Kur një vepër nuk ka një arkitekturë të qartë artistike – një strukturë ndaj së cilës muzika dhe ideja mund të përplasen, të ngjiten apo të çmontohen – ajo rrezikon të humbasë energjinë e saj.

Në këtë rast, meditimi mbi “feminitetin hyjnor” – një ide që nuk përcaktohet qartë në shfaqje – përpiqet të ndërthurë pjellorinë, motërzimin, rilindjen dhe energjinë e perëndeshave. Por mes këngëve, brohoritjeve, kërcimeve dhe ritmeve të stampuara në skenë, shfaqja nuk arrin të gjejë një fokus të qartë.
Teksti i poetes Karen McCarthy Woolf nuk funksionon si një libret klasik, por më shumë si një seri poezish – disa të kënduara, shumica të recituara. Në qendër është historia e perëndeshës kelte Brigid, e cila, me ndihmën e një “grimoire” perëndeshash nga kultura të ndryshme dhe një adoleshenteje të quajtur Snowdrop, duhet të shkatërrojë patriarkatin dhe të thërrasë rikthimin e pranverës. Një mision ambicioz për një vepër njëorëshe.
Sopranoja Emma Tring ishte një Brigid e fuqishme dhe e patrembur, duke kaluar me intensitet nga klithmat dramatike te meloditë folklorike me ngjyra irlandeze. Zëri i saj herë tingëllonte i ëmbël, herë i ashpër dhe plot energji primitive.
Ajo u mbështet nga zërat e sipërm të BBC Singers dhe nga këngëtarë të rinj të Vox Next Gen, të drejtuar nga dirigjentja Lucy Goddard. Vetë Feshareki performoi në gramafon (turntable) dhe kitarë elektrike – të luajtur me hark, jo me goditje – duke manipuluar tingullin në kohë reale.
Megjithatë, pyetja mbetet: çfarë përfundimi artistik sjell e gjithë kjo? Kur largohen efektet digjitale dhe iluzioni akustik, mbeten vetëm disa akorde të dendura, një këngë folklorike dhe disa mantra të përsëritura. Për një vepër që synon të arrijë dimensione shpirtërore dhe kozmike, kjo rezulton të jetë shumë pak. /GazetaExpress/