Ferri i Ferajt - Gazeta Express
string(14) "ferri-i-ferajt"

Ferri i Ferajt

Arben Idrizi

10/04/2020 17:45

Për sa kam parë nga qëndrimet e Ferajt, nuk më është dukur të kem vërejtur qoftë edhe pakënaqësinë e tij më të vogël ndaj xhelatit të tij të mudnshëm, regjimit të Enver Hoxhës, drejt të cilit kishte shkuar si qengji drejt thertores. Me gjasë ai ende beson të gjitha ato burgosje, keqtrajtime, tortura dhe vrasje ishin bërë ndaj atyre që nuk meritonin asgjë më mirë, aspak më mirë. Andaj mbase duhet ta rikthejë në jetë atë “gjendjen ideale” për të cilën e kishte kaluar kufirin, duke rrezikuar të bjerë në humnerë. Kam bindjen se Feraj, që mund të kishte kishte kaluar nëpër ferr, nuk e ka as problemin më të vogël t’i bëjë të kalojnë nëpër ferr të gjithë ata që, thënë thjesht dhe troç, nuk janë me Partinë

Vetëvendosje e ka pasur, e ka, dhe fatkeqësisht (aq më keq kur të kenë pushtet edhe më të madh) do ta ketë imperativ luftën kundër lirisë së fjalës, përkatësisht kundër mediave, intelektualëve, shoqërisë civile – madje edhe kundër vetë qytetarëve privatë – që, në mënyrën e tyre, shprehin ndonjë qëndrim kritik, qortim ose tamam kundërshtim dhe refuzim të bindjeve, veprimeve dhe politikave të saj. Sepse kjo është esenca e saj: një lëvizje ideologjike në luftë me të drejtën dhe me lirinë.

Lexo Edhe:

Kur këtë e bën Hysamedin Feraj, si një prej ideologëve të VV-së, nuk më ngjall vetëm frikë, pakënaqësi apo nevojë për reagim. Feraj – dhe unë këtu më duhet ta bëj të qartë edhe dhembshurinë ndaj tij dhe secilit bashkëvuajtës të tij të tillë, kudo dhe kurdo – ngjan me një nga gjithë ato qenie njerëzore të përvuajtura që, edhe kur është tejshpuar nga shpata e ferrit, nuk ka gjetur fuqinë dhe luciditetin ta dallojë xhelatin e vërtetë.

Me qindra shqiptarë të Kosovës që e kanë kaluar kufirin për të gjetur shpëtim fizik a shpirtëror në Shqipëri, kanë përfunduar në burgjet dhe kampet e punës së detyruar të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës. Edhe nëse kjo nuk i ka ndodhur personalisht atij, të qenët i ikur në dhe i strehuar nga një regjim që i keqtrajtonte në mënyrë mizore bashkëvuajtësit e tij, e bën pak a shumë një të burgosur.

Burgje dhe kampe si këto të këtij regjimi ka pasur në të njëjtën kohë në një pjesë të konsiderueshme të globit. Nga shumica e autorëve që i kanë mbijetuar dhe kanë shkruar për (përvojat e tyre nga) kampet e punës së detyruar, na është përshkruar një lloj i të burgosurit, të cilit, simbolikisht pra, i përket edhe Feraj. Nuk ka ndonjë përkufizim për të, për këtë sindromë, të paktën jo deri më tash. Përshkrimi i përgjithshëm është ky: një ish politikan, ish zyrtar, ish anëtar i Partisë, ose edhe një adhurues i rëndomtë i Partisë, një ditë përfundon në birucë, në shoqërinë e atyre “armiqve të popullit”, të cilët edhe ai vetë në njëfarë mënyre i ka burgosur, spiunuar, për të cilët ka gënjyer vetëm e vetëm që të përfundojnë në ferr, apo në fund thjesht ka qenë i lumtur t’i shohë në atë derexhe. Kur futet në barakë, “armiqtë e popullit” e shohin me habi. Edhe ky, këtu, thonë të çuditur. Mirëpo ky lloji i Ferajt i katandisur në ferrin që e ka krijuar edhe vetë, ka një përgjigje të mënjëhershme: “Qelbësira, ç’keni që më shikoni?! Ky është një keqkuptim. E gjitha është vetëm një keqkuptim. Do ta shihni, pas pak e gjithë kjo do të marrë fund, do të zgjohem nga kjo ëndërr e keqe. Ata do të kuptojnë gabimin dhe do të vijnë të më kërkojnë falje duke m’u përulur. Kjo nuk mund të më ndodhë mua, unë nuk jam si ju. Është një keqkuptim. Oh, do ta shihni si do të më kërkojnë ndjesë. Do të më kërkojnë falje dhe pastaj edhe do të ngrihem në detyrë”. E kështu me radhë, ditë mba dite me të njëjtin avaz, sa më shumë që zhytet në ferr aq më shumë i mëshon atij avazi.

Por, jo, nuk ka asnjë keqkuptim, asnjë gabim. E gjitha është e bërë me vetëdije të plotë, me qëllimin e caktuar.

Dëshmi të tilla gjejmë te Shalamovi, në të famshmet e tij ‘Tregimet e Kolymës’ (që fatkeqësisht nuk janë përkthyer shqip ende). Por, që të jemi më brenda ferrit të Ferrajt, i gjejmë edhe te dy autorë shqiptarë. At Zef Pllumi rrëfen një rast të tille te ‘Rno vetëm për me tregue’ dhe Fatos Lubonja për një tjetër te ‘Ridënimi’.  

Personazhi historik i tillë i At Zef Pllumit është gjeneral Gjin Marku. Historia e tij partizane është e bujshme, që do të thotë, nga ana tjetër, po ashtu edhe kriminale, e megjithatë, pavarësisht kësaj, një ditë përfundon në burgun e po atij regjimi kriminal që e kishte ndërtuar. Pasi ka dhënë historinë e tij në rreth pesë faqe, autori e mbyll kështu: «Gjini, sido që kishte në zemër shumë ankime për Enverin e Mehmetin, prapë se prapë e adhuronte Partinë e tij dhe u çudita shumë kur me 10 korrik i dërgoi një telegram urimi Enver Hoxhës për festën e ushtrisë partizane. Gadi nuk dijshem me u besue syve të mij…».

Gorçevi, një zyrtar namkeq i NKVD-së, te ‘Një botë veçan’ e Gustaw Herlingut është barbarisht i bindur se në lager, bashkë me viktimat e tij, «gjendej “gabimisht” dhe shumë shpejt do të kthehej në “pozitën e përgjegjësisë”».

Pse ndodh kjo? Si mundet dikush të vazhdojë të besojë se një regjim kriminal – të cilin e ka ndërtuar edhe vetë dhe të cilin e ka përdorur edhe vetë kundrë të tjerëve, pa asnjë të drejtë, në kundërshtim me çdo ligj dhe normë morale – ai regjim pra nuk do ta bëjë edhe ndaj tij po atë që e ka bërë, po e bën dhe do ta bëjë ndaj të tjerëve? Sepse është i verbër, i papjekur? Është i bindur se natyra e tij kriminale është e drejtë dhe mirë? Se për të arritur një të mirë gjoja finale, ideale, lejohen dhe kërkohen krime gjoja të parëndsishme? Aq mendjengushtë është sa nuk e vëren se kundër tij janë përdorur metodat e arrestimit dhe burgosjes të cilat ai vetë i ka përdorur duke e ditur saktësisht se janë në kundërshtim me të gjitha praktikat normale ligjore dhe njerëzore të ndalimit, burgosjes dhe dënimit. Mundet, në fund, ta ketë ndonjëherë me ndonjë zyrtar, individ, por kurrë jo me Partinë. Kurrë me Partinë që është ngjizur, rritur dhe përhapur mbi krimin, të ligën, të palejueshmën, të panevojshmën.   Për sa kam parë nga qëndrimet e Ferajt, nuk më është dukur të kem vërejtur qoftë edhe pakënaqësinë e tij më të vogël ndaj xhelatit të tij të mudnshëm, regjimit të Enver Hoxhës, drejt të cilit kishte shkuar si qengji drejt thertores. Me gjasë ai ende beson të gjitha ato burgosje, keqtrajtime, tortura dhe vrasje ishin bërë ndaj atyre që nuk meritonin asgjë më mirë, aspak më mirë. Andaj mbase duhet ta rikthejë në jetë atë “gjendjen ideale” për të cilën e kishte kaluar kufirin, duke rrezikuar të bjerë në humnerë. Kam bindjen se Feraj, që mund të kishte kishte kaluar nëpër ferr, nuk e ka as problemin më të vogël t’i bëjë të kalojnë nëpër ferr të gjithë ata që, thënë thjesht dhe troç, nuk janë me Partinë. Ndërsa ne – po ramë në atë patetizmin moral – mund të lutemi që Feraj të mos rrezikojë të përfundojë edhe vetë, edhe një herë të dytë, në të.