Fermerët në Serbi paralajmërojnë protesta dhe bllokada më radikale kundër qeverisë së Vuçiqit - Gazeta Express
string(93) "fermeret-ne-serbi-paralajmerojne-protesta-dhe-bllokada-me-radikale-kunder-qeverise-se-vuciqit"

Lajme

Gazeta Express

24/02/2026 6:53

Fermerët në Serbi paralajmërojnë protesta dhe bllokada më radikale kundër qeverisë së Vuçiqit

Lajme

Gazeta Express

24/02/2026 6:53

Pas gati dy javësh bllokadash rrugore në mbarë vendin, fermerët në Serbi kanë paralajmëruar radikalizim të protestave, të pakënaqur me reagimin e shtetit ndaj kërkesave të tyre, veçanërisht për situatën e rëndë në tregun e qumështit.

Protestuesit kërkojnë ndalimin e përkohshëm të importit të qumështit dhe produkteve të tjera bujqësore, derisa të stabilizohet tregu vendas dhe të shiten rezervat e prodhuesve lokalë. Ata theksojnë se çmimet e ulëta të produkteve të importuara po i çojnë drejt falimentimit shumë ferma në vend.

Ministri i Bujqësisë, Dragan Glamoçiq, ka deklaruar se ndalimi i plotë i importit nuk është i mundur për shkak të detyrimeve ndërkombëtare dhe ndikimit në eksport. Megjithatë, Ministria ka njoftuar disa masa, përfshirë vendosjen e tarifave shtesë (prelevmane) për importin e qumështit pluhur, heqjen e tarifave për importin e derrave për majmëri nga BE-ja, si dhe futjen e etiketës “100% nga Serbia” për produktet vendase.

Fermerët i konsiderojnë këto masa të pamjaftueshme dhe të vonuara. Sipas përfaqësuesve të shoqatave të prodhuesve të qumështit në rajonet e Shumadisë dhe Maçvës, nga sot do të nisin bllokada të reja në lokacione të tjera, me synimin që disa prej tyre të shndërrohen në bllokada totale.

Protestave u janë bashkuar edhe shoqata të reja, ndërsa mbështetje ka ardhur edhe nga Iniciativa për Mbijetesën e Fermerëve të Serbisë, e cila ka paralajmëruar bllokada solidarizuese në disa pika të vendit, veçanërisht në Vojvodinë.

Fermerët akuzojnë institucionet për mungesë kontrolli ndaj importit dhe për neglizhencë në mbrojtjen e prodhimit vendas. Ata paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen nga protestat derisa kërkesat e tyre të plotësohen, duke e rritur presionin ndaj qeverisë së presidentit Aleksandar Vuciq.

Advertisement
Advertisement
Advertisement