Komuna e Ferizajt po përgatitet për ndeshjen e madhe të kombëtares së Kosovës kundër Turqisë.
Nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Ferizajt, njoftojnë se në sheshin “Adem Jashari”, nga ora 20:45, nesër, qytetarët do të kenë mundësinë ta ndjekin së bashku këtë përballje përmes LED-it të madh.
“Ferizaj po bëhet gati për ndeshjen Kosovë – Turqi. Në sheshin “Adem Jashari”, duke filluar nga ora 20:45, qytetarët do të kenë mundësinë ta ndjekin së bashku këtë përballje përmes LED-it të madh të vendosur në shesh, i organizuar nga Komuna e Ferizajt.
Nesër, nuk do të jemi thjesht spektatorë, por një zë i vetëm që mbështet me zemër djemtë tanë në fushë. Le të jemi të gjithë bashkë në përkrahje të Kombëtares sonë.
Për Kosovën, për krenarinë tone”, njofton Drejtoria për KRS.
Ndeshja Kosovë – Turqi do të zhvillohet nesër, më 31 mars, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të “play-offit” të Botërorit, me fituesin që do të shkojë në Kupën e Botës, që mbahet këtë verë./GazetaExpress/