Ferizaj: Arrestohet personi i dyshuar për kontrabandë dhe sulm ndaj policisë - Gazeta Express
string(75) "ferizaj-arrestohet-personi-i-dyshuar-per-kontrabande-dhe-sulm-ndaj-policise"

Lajme

Gazeta Express

03/09/2025 20:18

Ferizaj: Arrestohet personi i dyshuar për kontrabandë dhe sulm ndaj policisë

Lajme

Gazeta Express

03/09/2025 20:18

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën ka arrestuar një person të dyshuar për kontrabandë mallrash dhe sulm ndaj zyrtarëve policorë në fshatin Korbliq të Kaçanikut.

Ngjarja ka ndodhur më 2 shtator, rreth orës 19:30, kur Task Forca e Drejtorisë Rajonale Kufitare Lindje ka tentuar të ndalojë një automjet të tipit Mercedes kombi, të dyshuar për kontrabandë. I dyshuari nuk iu bind urdhrave dhe gjatë ndjekjes ka goditur një veturë zyrtare të policisë, e cila është rrokullisur jashtë rrugës. Si pasojë, tre policë kanë pësuar lëndime të lehta trupore, por pas trajtimit në spitalin e Gjilanit janë liruar.

Automjeti i dyshuar është gjetur i braktisur pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut, i ngarkuar me mall të kontrabanduar, i cili është konfiskuar nga Dogana. Sasia e mallrave të sekuestruara përfshin:

270,000 copë cigare “Grand” (13,500 kuti)

1,600 kg fara kungulli të pjekura

460 kg fara luledielli të pjekura

100 kg fara braziliane

40 kg ananas të tharë

20 kg banane të thara

113.4 kg brusnica të thara

Sipas vlerësimeve, mallrat kapin vlerën prej rreth 23,794 € deri 29,877 €.

Një ditë më pas, më 3 shtator, Policia Kufitare ka arrestuar të dyshuarin M.S., 46 vjeç, i cili pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë, me vendim të Prokurorit të Shtetit.

Rasti është cilësuar si “Sulm ndaj personave zyrtarë”, ndërsa hetimet për kontrabandë do të zhvillohen nga Dogana në bashkëpunim me Njësinë e Hetimeve Kufitare.

Policia dhe Dogana kanë bërë të ditur se mbeten të përkushtuara në luftimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve dhe zyrtarëve.