Sot rreth orës 15:30, stacioni policor në Ferizaj ka pranuar një informatë për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Mihajl Grameno” në Ferizaj, gjatë një ceremonie dasme.
Menjëherë pas pranimit të informacionit, njësia policore ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar “me personin e dyshuar, Sh.I., (56 vjeç), i cili ka pranuar se kishte shtënë me armë zjarri, të cilën e kishte me leje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në vendin e ngjarjes është sekuestruar arma e tipit pistoletë, 8 gëzhoja, si dhe leja e armës.
I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj për intervistim dhe me vendim të prokurorit të shtetit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti është cilësuar si “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
“Policia Rajonale në Ferizaj apelon tek qytetarët që të përmbahen nga përdorimi i armëve të zjarrit në ahengje familjare, pasi një veprim i tillë paraqet rrezik serioz për jetën e qytetarëve”, thuhet në apelin e policisë.