Banorët e Mbretërisë së Bashkuar janë habitur nga një fenomen i rrallë moti, pasi qielli i dhjetorit është shndërruar në një nuancë intensive rozë, e njohur si “mjegull rozë”.
Sipas meteorologëve të Met Office, ky fenomen ndodh kur rrezet e diellit kalojnë përmes grimcave shumë të imëta në ajër, si lagështia apo pluhuri, duke filtruar ngjyrat.
“Kur drita e diellit kalon nëpër shumë shtresa të atmosferës, ajo shpërndan ngjyrën blu dhe lejon që të dalin në pah tonet e kuqe,” shpjegoi Graham Madge, zëdhënës i Met Office.
“Praktikisht, është një lindje dielli e filtruar përmes mjegullës, e cila i jep qiellit atë ngjyrë rozë karakteristike.”
Pamje spektakolare në rrjetet sociale
Në rrjetet sociale, shumë britanikë publikuan fotografi dhe video të pamjes së pazakontë, e cila u pa kryesisht në juglindje të Anglisë.
Një përdoruese e TikTok-ut, @crazytailsuk, këmbënguli se videoja e saj ishte pa asnjë filtër, ndërsa qielli shfaqej në një nuancë rozë të fortë, që disa e krahasuan me stilin “Barbie”.



“Qielli ishte jashtëzakonisht rozë këtë mëngjes në Hertfordshire,” shkroi një përdorues, ndërsa një tjetër komentoi: “Mjegull rozë në lindjen e diellit… do të isha mahnitur po ta shihja.”
Një tjetër TikTokere bëri shaka duke thënë se dukej sikur ishte “lart në male” dhe kishte nevojë për shpëtim, ndonëse po ecte në një rrugë banimi.
Një fenomen i rrallë dhe i vështirë për t’u parashikuar
Sipas Met Office, mjegulla rozë varet nga kushte shumë specifike lokale dhe shpesh zgjat vetëm pak minuta, duke u humbur po aq shpejt sa shfaqet.



Një rast i ngjashëm u regjistrua në British Columbia, Kanada, në janar të vitit të kaluar. Specialisti i klimës Darius Mahdavi e përshkroi fenomenin si “jashtëzakonisht të rrallë”.
“Drita duhet të kalojë nëpër shumë shtresa të atmosferës ose nëpër pikat e ujit që formojnë mjegullën,” shpjegoi ai.
“Kjo shpërndan ngjyrat blu dhe lë të dukshme të kuqen, portokallinë dhe rozën. Kushtet duhet të jenë perfekte dhe janë pothuajse të pamundura për t’u parashikuar.”
Në atë rast, një banor lokal tha se mjegulla rozë zgjati 10–15 minuta, duke u ngritur dhe më pas duke u zhdukur gradualisht në një mjegull gri të zakonshme.
Një fenomen i ngjashëm ishte parë edhe në jugperëndim të Anglisë në vitin 2019, në zona si Somerset dhe Shropshire.
Mot i pazakontë për periudhën para Krishtlindjeve
Sipas parashikimit të fundit të Met Office, Londra dhe juglindja e Anglisë patën një fillim dite të ftohtë dhe me mjegull, por erërat në forcim dhe vranësirat po ndihmojnë në shpërndarjen graduale të mjegullës.
Megjithatë, priten reshje shiu pasdite dhe në mbrëmje, ndërsa për ditën e mërkurë është paralajmëruar rrezik për përmbytje dhe probleme në qarkullim, sidomos në Uellsin jugor dhe disa pjesë të Anglisë.
Meteorologët kanë konfirmuar gjithashtu se temperaturat kanë qenë më të larta se normalja për stinën, duke arritur deri në 15°C, ndërsa ngricat kanë qenë të rralla.


Sipas Jim Dale, meteorolog i lartë në British Weather Services, Britania po ndikohet nga një rrymë ajrore jashtëzakonisht aktive (jet stream), e cila që prej nëntorit ka sjellë mot të ngrohtë, të lagësht dhe me erë.
Fenomene të çuditshme atmosferike
Mjegulla rozë – qielli merr ngjyrë rozë për shkak të shpërndarjes së dritës nga mjegulla
Errësira anticiklonike – ditë të gjata gri, me mjegull dhe pa diell
Bora me bubullima (thundersnow) – reshje bore të shoqëruara me rrufe dhe bubullima
Unaza akulli – unaza drite rreth diellit ose hënës nga kristalet e akullit
Sprites – shkarkime elektrike të kuqërremta mbi stuhitë e mëdha
Pluhur diamanti – kristale akulli që notojnë pranë tokës
Dritat veriore (Aurora Borealis) – ndriçim shumëngjyrësh nga ndërveprimi i erës diellore me atmosferën. /GazetaExpress/