Fenerbahçe Sport Club ka dalë me një deklaratë zyrtare për të sqaruar opinionin publik lidhur me dështimin e transferimeve të N’Golo Kanté dhe Youssef En-Nesyri nga Al Ittihad.
Sipas klubit turk, i gjithë procesi i transferimit është zhvilluar në mënyrë të planifikuar dhe me përpikëri të plotë nga ana e Fenerbahçes. Me kërkesë të stafit teknik, ishte arritur marrëveshje me lojtarët, ishin kryer kontrollet mjekësore, ishin marrë të gjitha miratimet e nevojshme dhe klubi kishte përmbushur në kohë të gjitha obligimet e tij.
Gjithashtu, dokumentacioni për regjistrimin e transferimit ishte ngarkuar saktë dhe brenda afateve në Transfer Matching System (TMS) – sistemin zyrtar të FIFA-s që përdoret për menaxhimin dhe regjistrimin e transferimeve ndërkombëtare të futbollistëve.
Megjithatë, Fenerbahçe thekson se për shkak të gabimeve në të dhënat TMS të futura nga klubi kundërshtar, procesi i regjistrimit nuk ka mundur të përfundojë brenda afatit zyrtar të merkatos, për arsye që nuk varen nga klubi turk.
Fenerbahçe kishte kërkuar kohë shtesë dhe kishte zhvilluar bisedime të nevojshme pranë FIFA-s për zgjidhjen e situatës, por klubi kundërshtar nuk i ka përfunduar procedurat, pa dhënë ndonjë arsye konkrete. Si pasojë, transferimet e Kanté dhe En-Nesyri nuk kanë mundur të finalizohen.
Klubi shpreh mirëkuptim për zhgënjimin e tifozëve dhe thekson se do të vazhdojë ndërtimin e skuadrës me vendosmëri dhe disiplinë, në përputhje me objektivat sportive. /GazetaExpress