Fëmijët pa mësim, Kurti e Jasharaj në lojën e papërgjegjshme "kush dorëzohet i pari" - Gazeta Express
string(81) "femijet-pa-mesim-kurti-e-jasharaj-ne-lojen-e-papergjegjshme-kush-dorezohet-i-pari"

Lajme

Gazeta Express

23/09/2022 16:39

Fëmijët pa mësim, Kurti e Jasharaj në lojën e papërgjegjshme “kush dorëzohet i pari”

Lajme

Gazeta Express

23/09/2022 16:39

Albin Kurti që mban kuletën e shtetit dhe Rrahman Jasharaj që përfaqëson mësimdhënësit grevistë, janë kurthuar në tre javët e fundit rreth një shume parashë duke i lënë askund rreth 320 mijë nxënës. Në përplasjet e tyre, Kurti nxjerr një argument se mësimdhënësit i ranë në qafë kur i kishte punët ngushtë me Serbi, ndërsa Jasharaj e përmend linçimin dhe sulmet. As Jasharaj as Kurti nuk e kanë hallin e nxënësve. Loja e tyre e papërgjegjshme duhet të marrë fund. 

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Përveç shëndetësisë, një prej pikave të dobëta të Kosovës së 23 vjetëve të pasluftës është edhe arsimi. Partia e kryeministrit Kurti që tashmë qeveris me vendin, sa kishte qenë në opozitë dhe përgjatë fushatave zgjedhore kishte premtuar se do të bënte ndryshime të mëdha në këtë sektor.

Në vazhdimësi përmendin rezultatet e dobëta të testit PISA në përpjekjen e tyre për ta paraqitur gjendjen e renduar të sistemit arsimor në Kosovë. Për këtë thonin se duhen reforma e madje kanë nxjerrë edhe idenë e testimit të mësimdhënësve.

Megjithatë përgjatë këtyre gati 2 vjet qeverisje, me Nagavcin në krye të MASHT-it s’kanë dhënë ndonjë sinjal për reforma përmbajtjesore e që do të rezultonin me përmirësim të cilësisë së arsimit në vend.

Ndërkohë Sindikata e Bashkuar e Arsimit në vend të ndonjë kërkese për reforma me qëllim të përmirësimit të cilësisë së arsimit, po kërkon rritje të pagave për mësimdhënësit, kërkesë kjo të cilën Rrahman Jasharaj e ka të preferuarën e tij sa herë që ndërrohet pushtetit në Kosovë.

Kërkesa e SBASHK-ut për rritje pagash prej 100 euro për arsimtarët ka hasur në rezistencë të fortë nga ana e Qeverisë, gjë që ka cytur SBASHK-un për organizim të një greve të gjithmbarshme në arsim, grevë e cila i ka lënë fëmijët për këto 3 jave të shtatorit pa mësim.

Në përpjekje për të gjetur një rrugëdalje dhe për të rifilluar mësimin është përfshirë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dhe institucioni i Avokatit të Popullit, por pa sukses.

Qeveria Kurti është barikaduar në pozicionin e saj që nuk pranon realizimin 100 % të kërkesave të SBASHK-ut, me arsyetimin për implikime të mëdha buxhetore. Ndërkohë këtë qëndrim kokëfortë Qeveria po e mban edhe në përpjekjen për të mos u thyer dhe për të mos iu nënshtruar kreut të SBASHK-ut, të cilin po përpiqen edhe ta denigrojnë duke e lidhur me partitë opozitare që dikur kanë qenë në pushtet.

Edhe SBASHK-u i Rrahman Jasharajt ne gjithë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje nuk e negocion kërkesën e tyre për rritje pagash prej 100 eurosh.

Greva në arsim ka marrë edhe një dimension të luftës mes “njëshit” të Lëvizjes Vetëvendosje dhe “babës së grevave”. Çështja është kush do të dorëzohet i pari.

Por në mes të gjithë kësaj përplasje dhe qërimi hesapesh nga e kaluara të Kurtit me Jasharajn gjenden mbi 300 mijë nxënës  të cilët kanë mbetur pa mësim prej 3 javësh, e ku janë mijëra orë mësim të humbura të cilat s’do të kompenzohen.

Pa kurrfarë mëshire për këtë fakt, Qeveria dhe SBASHK-u vazhdojnë të shtyhen me njëra-tjetrën.

Kryeministri Kurti në vend të trajtimit me seriozitet të kësaj problematike, vazhdon e merret me Rrahman Jasharajn si person, derisa Jasharaj që është në krye të SBASHK-ut për më shumë se një dekadë e që e ka edhe një hise se pse gjendja e arsimit në Kosovë është e rënduar s’shfaq shenja për kompromis.

Deri tani janë zhvilluar disa takime, madje ka pasur edhe një ndërhyrje nga kryesindikalistja evropiane Susan Flocken, por pa sukses. Ndërkohë sot në Komisionin për Arsim, deputeti i VV-së, Ardian Gola, ka dhënë një propozim për SBASHK-un që të ndërrohet metodologjia e grevës dhe në vend të ndërprerjes së plotë të mësimit kështu si është, të bëhet kush mosnotimi i nxënësve në fund.

Gola ka thënë se kjo do t’i jepte kohë qeverisë për një zgjidhje dhe do të bënte që mësimi të vazhdojë dhe të mos humben shumë orë./GazetaExpress/