Në Komunën e Vushtrrisë, një qytetar ka shprehur shqetësimin e tij pasi fëmijës së tij, gjatë kësaj vere, i është lëshuar kartela e imunizimit nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Vushtrri me stemën e UNMIK-ut, dhe jo atë të Republikës së Kosovës. Ndërkaq, institucionet shëndetësore në komunë nuk kanë marrë përgjegjësi për këtë rast.
Arben Kosumi, me prejardhje nga fshati Stanovc i Epërm i Komunës së Vushtrrisë, i cili aktualisht jeton në Gjermani, ka thënë për Radio Kosovën se është habitur nga fakti që dokumenti i lëshuar nga QKMF Vushtrri mban ende stemën e UNMIK-ut, edhe pse fëmija për të cilin është lëshuar ky dokument ka lindur në vitin 2020 – shumë vite pas shpalljes së pavarësisë dhe pas transferimit të kompetencave te institucionet e Republikës së Kosovës.
“Shqetësimi im është se nuk kam mundur të aplikoj në Gjermani për procedura të tjera shëndetësore, për shkak të këtij dokumenti që ma ka lëshuar Komuna e Vushtrrisë. S’kam arrit t’i regjistroj fëmijët në institucionet shëndetësore në Gjermani, për shkak të dokumentit me logon e UNMIK-ut. Sepse të gjitha dokumentet e tjera i kam me logon e Kosovës, dhe vetëm për këtë arsye s’kam arritur t’i regjistroj fëmijët te mjeku familjar në Gjermani”, ka theksuar ai.
Sipas Arben Kosumit, lëshimi i dokumenteve të tilla është shqetësues dhe, sipas tij, përbën një neglizhencë institucionale, si dhe një mangësi të theksuar në përditësimin e sistemit dhe dokumentacionit zyrtar të qytetarëve.
“Pse duhet një institucion shëndetësor të lëshojë dokumente të tilla? Si është e mundur që edhe sot, në vitin 2025, institucionet shëndetësore të Kosovës të lëshojnë dokumente zyrtare me simbolet e një administrate ndërkombëtare që nuk ka më mandat zyrtar për dokumente në vendin tonë që nga viti 2008? Është dokument zyrtar, e si mund ta kuptojë një zyrtar në Gjermani ose në cilindo shtet të BE-së kur e pranon një dokument të tillë?”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq, burime brenda Institutit të Shëndetit Publik, duke kërkuar të mbeten anonime, i kanë thënë Radio Kosovës se përgjegjëse për furnizimin me kartela të imunizimit është Komuna e Vushtrrisë.
Ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë, zyrtarja për informim, Xhylferie Zabeli, tha për Radio Kosovën se fëmijët që lindin në repartet e Neonatologjisë në nivel vendi, pajisen me fletoren e shëndetit të fëmijës. Ndërsa, sa i përket kartelës së imunizimit, përgjegjësia bie mbi komunën dhe Drejtorinë për Shëndetësi.
“Çdo fëmijë që lind në repartet e Neonatologjisë në nivel vendi pajiset me fletoren e shëndetit të fëmijës. Kjo fletore përmban gjithë informacionin e rëndësishëm për zhvillimin e tij, si dhe kalendarin e plotë të vaksinave që duhet të marrë gjatë rrugëtimit të rritjes. Kjo është një mënyrë e rëndësishme për të ndjekur shëndetin dhe për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve nga sëmundjet e ndryshme. Ndërsa për sa i përket kartelës së imunizimit, ajo është përgjegjësi e komunës, ndoshta edhe e Drejtorisë për Shëndetësi”, ka theksuar ajo.
Radio Kosova ka kontaktuar Komunën e Vushtrrisë, Drejtorinë për Shëndetësi dhe Drejtoreshën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Vushtrri, për të sqaruar se si ka ndodhur lëshimi i kartelës së imunizimit me stemën e UNMIK-ut, por asnjë prej këtyre institucioneve nuk ka kthyer përgjigje, përkundër pritjes disa javore.
Lidhur me kërkesën tonë për të marrë një përgjigje nga institucionet përkatëse, Radio Kosova ka njoftuar edhe Agjencinë për Informim dhe Privatësi. Këta të fundit, në përgjigjen me shkrim, kanë thënë se do të na informojnë lidhur me ecurinë e shqyrtimit të kësaj ankese.