Federata e Maqedonisë së Veriut nuk do ta lejojë Zeqirin të paraqitet për Kosovën - Gazeta Express
string(81) "federata-e-maqedonise-se-veriut-nuk-do-ta-lejoje-zeqirin-te-paraqitet-per-kosoven"

Federata e Maqedonisë së Veriut nuk do ta lejojë Zeqirin të paraqitet për Kosovën

Sport

Gazeta Express

24/11/2021 22:22

Basketbollisti i Sigal Prishtinë, Lejson Zeqiri, është në planet e dy përfaqësueseve, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Federata e Basketbollit të Maqedonisë së Veriut do ta bëjë të pamundurën që basketbollisti Lejson Zeqiri të mos paraqitet me fanellën e Përfaqësueses së Kosovës.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar sekretari i përgjithshëm i Federatës së Maqedonisë të Veriut, Vladimir Georgievski, i cili ka thënë se do të përdorin të gjitha mënyrat ligjore për ta ndaluar Zeqirin, që ka luajtur për gjeneratat e reja të këtij shteti. Georgievski ka thënë se Zeqiri bën pjesë në planet e përzgjedhësit Dragan Bajiq dhe së fundi nuk është paraqitur në grumbullim përkundër ftesës. Madje Georgievski ka thënë se ata janë munduar edhe ta kontaktojnë Zeqirin, por tentimet e tyre kanë qenë të pasuksesshme. Te Federata e Maqedonisë së Veriut kanë pranuar se synimi i Zeqirit është që të luajë për Kosovën. Mirëpo, kanë insistuar e kanë mungesë të lojtarëve cilësorë dhe për këtë arsye do të insistojnë që Zeqiri të jetë pjesë e tyre.

Lexo Edhe:

“Zeqiri nuk u paraqit në grumbullimin e parë dhe nuk na e dha asnjë informatë zyrtare se pse refuzoi të vinte. Jozyrtarisht kemi mësuar se ai dëshiron të luajë për Përfaqësuesen e Kosovës. Ne kemi kontaktuar edhe familjen e tij, por nuk kemi një qëndrim zyrtar prej askujt. Gjithçka është jozyrtare, përfshirë që Zeqiri nuk dëshiron të jetë pjesë e Maqedonisë së Veriut përkundër që është në planet e trajnerit”, është shprehur Georgievski të mërkurën për mediat në Maqedoninë e Veriut. “Qëndrimi zyrtar i federatës sonë është se ne nuk kemi një lojtar cilësor dhe nëse vjen kërkesa nga Federata e Basketbollit të Kosovës për Zeqirin, ajo nuk do të aprovohet. Natyrisht, nuk do të ndalojmë me kaq dhe do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore”.

Zeqiri (204 cm) këtë sezon është pjesë e skuadrës së Sigal Prishtinës. Në fakt, Zeqiri është i pajisur me dokumentet e Kosovës pasi ka lindur në Prishtinë, ku e ka kaluar një pjesë të fëmijërisë përpara se familja e tij të zhvendoset në Shkup. Familja e tij e ka prejardhjen nga Kosova, saktësisht Zhegovci i Gjilanit. Ai para fillimit të këtij edicioni iu bashkua Prishtinës dhe është njëri prej lojtarëve më të dalluar në ekip. Po luan me një mesatare prej 14 pikëve dhe 4.5 kërcimeve për ndeshje.

I kontaktuar nga KOHA, Zeqiri nuk ka dashur të flasë për këtë çështje duke shtuar se është i fokusuar te paraqitjet e mira me skuadrën e Kosovës. Në anën tjetër, te Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) kanë pranuar se Zeqiri është në planet e tyre. Madje FBK-ja beson se Zeqiri shumë shpejt do të ftohet nga përzgjedhësi Christos Marmarinos. Drejtori i përfaqësueses së Kosovës, Granit Rugova, ka thënë se Zeqiri i ka dokumentet e Kosovës dhe për këtë arsye nuk ka ndonjë pengesë për të qenë pjesë e “Dardanëve”.

“Lejsoni e ka shtetësinë e Kosovës dhe shpresojmë që në të ardhmen ai do të jetë pjesë e Kosovës. Ai është në planet tona”, është shprehur Rugova.

Krahas Zeqirit, këtë sezon te Prishtina po luan është vëllai i tij më i madh, Jetmiri, raporton KOHA.