Klubi i futbollit Tërnoci ka bërë të ditur se të dielën, më 28 shtator 2025, në orën 15:30, në stadiumin e tij do të zhvillohet ndeshja kundër KF Bosilegrad.
Në komunikatën zyrtare, klubi ka theksuar se për shkak të ngjarjeve të vitit të kaluar në Bosilegrad, kur futbollistët shqiptarë të Tërnocit u keqtrajtuan nga policia serbe dhe u përballën me padrejtësi të rënda, Federata e Serbisë ka marrë vendim që kjo ndeshje e së dielës të shpallet si ndeshje me rrezik të lartë, shkruan Gazeta Express.
“Duke pasur parasysh ngjarjet dhe padrejtësitë që ndodhën vitin e kaluar në Bosilegrad ndaj KF Tërnocit, Federata ka marrë vendim që ndeshja në Tërnoc të shpallet me rrezik të lartë,” thuhet në njoftimin e klubit.
Për këtë arsye, policia serbe do të marrë masa shtesë për sigurinë. Sipas klubit, për herë të parë një ndeshje do të zhvillohet nën një protokoll të plotë sigurie:
“Kanë ardhur deri tek vendimi që të merren të gjitha masat e nevojshme, dhe për herë të parë në rajon një ndeshje do të zhvillohet nën një protokoll të plotë sigurie, sipas standardeve më të larta të parashikuara,” nënvizon KF Tërnoci.
Në ditët në vijim, klubi do të publikojë në detaje protokollin përkatës, ndërsa u ka bërë thirrje sportdashësve që të tregojnë respekt dhe korrektësi, duke kontribuar në zhvillimin e një atmosfere sportive dhe të sigurt.
“Ftojmë të gjithë sportdashësit që të jenë pjesë e kësaj ngjarjeje, duke treguar respekt dhe korrektësi për klubin, lojtarët dhe rregullat e sportit,” përfundon komunikata. /GazetaExpress/