Skuadra rumune FCSB ka mbërritur në Kosovë për ndeshjen e dytë ndaj Dritës, e vlefshme për raundin e tretë kualifikues në Ligën e Europës, duke marrë masa të rrepta sigurie.
Futbollistët e klubit nga Bukureshti po shoqërohen në çdo moment nga truproja, që nga zbritja në aeroport e deri te akomodimi në hotel.
Atmosfera pritet të jetë e zjarrtë nesër mbrëma, kur në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të zhvillohet sfida e kthimit. Ndeshja e parë në “Arena Națională” përfundoi me fitoren 3:2 të FCSB, duke e lënë gjithçka të hapur për kualifikimin në fazën tjetër.
Përballja pritet të tërheqë një numër të madh tifozësh, teksa Drita kërkon të përmbysë rezultatin dhe të shkruajë historinë, ndërsa FCSB vjen me synimin për të ruajtur avantazhin minimal dhe për të siguruar kalimin më tej.