Klubi i Prishtinës ka bërë një lëvizje mjaft interesante gjatë këtyre ditëve, teksa ka afruar në radhët e tij talentin shkodran Flori Spahija. Mbrojtësi i cili spikati me moshat e Vllanzisë e më pas la shenjë edhe me ekipin e parë të kuqebluve, u largua nga Shkodra gjatë verës duke dalë futbollist i lirë.
“Panorama Sport” raporton se Spahija kishte kontakte me klubet e Tiranës të cilat ishin gati të siguronin shërbimet e mbrojtësit të majtë. Por ai vendosi të zgjidhte një aventurë të re duke pranuar projektin e Prishtinës.
Kjo e fundit, i afronte mundësinë ish-futbollistit të Kombëtares U21 që pas dy sezoneve të ndikuara nga një dëmtim i gjatë, Spahija të futej gradualisht në formën më të mirë duke aktivizuar me minutazh të kontrolluar.
Kësisoj, është arritur akordi dhe Spahija ka firmosur për klubin e Prishtinës, duke kaluar menjëherë në formën e huazimit te KF Vjosa në Ligën e Parë në Kosovë. Aty, ai do të ketë minutazhin që i duhet për t’u kthyer në formën më optimale, e më pas, të bëhet pjesë e Prishtinës me një rol qendror që në pjesën e dytë të sezonit.