FBK anulon Superkupën e Kosovës për edicionin 2025/26 - Gazeta Express
string(53) "fbk-anulon-superkupen-e-kosoves-per-edicionin-2025-26"

Basketboll

Gazeta Express

01/10/2025 17:02

FBK anulon Superkupën e Kosovës për edicionin 2025/26

Basketboll

Gazeta Express

01/10/2025 17:02

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka njoftuar se Superkupa e Meshkujve për edicionin 2025/26 nuk do të zhvillohet. Vendimi është marrë nga Bordi i FBK-së në mbledhjen e 30 shtatorit 2025 dhe është arsyetuar me nevojën për të mos shtyrë kalendarin e garave të ProCredit Superligës.

“Është vendosur që Superkupa e Meshkujve për edicionin 2025/26 të anulohet dhe të mos zhvillohet, me qëllim që të mos tejzgjatet vijimi i ProCredit Superligës dhe të sigurohet zhvillimi i garave sipas kalendarit të paraparë”, thuhet në komunikatën e FBK-së.

Fillimi i edicionit të ri

Sipas vendimeve të bordit, edicioni i ri i garave do të nisë më 4-5 tetor me ndeshjet e para të ProCredit Superligës. Xhiroja e dytë do të vazhdojë më 18-19 tetor, ndërsa tek Superliga e Femrave, për shkak të procesit zgjedhor dhe mungesës së palestrave, xhiroja e dytë dhe e tretë do të organizohen në një palestër të vetme nën menaxhimin e FBK-së.

Licencimi dhe kriteret për klubet

FBK ka lehtësuar disa kritere të licencimit, duke pranuar kontrata të pa-noterizuara të lojtarëve, por vetëm në rast se ato deponohen të gjitha. Në të kundërt, lojtarët pa kontrata të regjistruara nuk do të mund të paraqiten në lojë.

Një risi tjetër është masa prej 20 mijë eurosh për çdo kategori të gjeneratave të reja që një klub i Superligës së Meshkujve nuk paraqet. Ndërkohë, për klubet e femrave është përcaktuar obligimi i paraqitjes së ekipeve U14 dhe njërit prej grupeve U16 ose U18.

Risi të tjera në organizim

Nga xhiroja e tetë e kampionatit, do të nisë edhe shitja e biletave online, ndërsa FBK do të mbulojë shpenzimet e personave zyrtarë për ligat e kategorive të reja me një shumë prej 125 mijë eurosh.

Në aspektin e gjyqtarëve, Ergin Balaj ka kaluar nga Licenca C në Licencën B për këtë edicion.

Me këto vendime, FBK synon që edicioni i ri i garave të zhvillohet pa pengesa dhe me organizim më të mirë, ndonëse anulimi i Superkupës mbetet lajmi kryesor që shënon nisjen e sezonit 2025/26.