Favori që Irani ia ka bërë Izraelit - Gazeta Express
string(35) "favori-qe-irani-ia-ka-bere-izraelit"

Favori që Irani ia ka bërë Izraelit

Gazeta Express

29/09/2020 18:25

Arabia Saudite dhe Irani përfaqësojnë dy pikat fokale e nevralgjike të botës islame. Izraeli qëndron në mes tyre. Për botën islame, Izraeli shpesh perceptohet si gogoli, si mishi i egër. Ndër periudha të ndryshme, Irani dhe Arabia Saudite kanë ngarendur ta marrin primatin e shtetit që e lufton këtë “mish të egër” në emër të të gjithë umetit, komunitetit supranacional mbarëbotëror mysliman. Vetë ato, Irani dhe Arabia Saudite, hera-herës kanë qenë në rivalitet të ndërsjellë e hera-herës kanë qenë në unison me njëra-tjetrën.

Shkruan: Fitim Salihu

Lexo Edhe:

Kështu, tekqë Arabia Saudite, që nga krijimi i saj e gjer më sot, ka pasur orientim të hapur kah aleancat me vendet perëndimore – fillimisht me Britaninë e Madhe, më pas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – historia e Iranit është më e koklavitur. Trazirat e brendshme janë pasqyruar edhe në luhatje të jashtme. Për sa kohë që në Iran mbretëronte shahu Mohamad Reza Pahlavi, vendi kish për aleatë shtetet e njëjta sikurse sauditët – Britaninë e Madhe dhe ShBA-në – dhe si rrjedhojë edhe raportet mes tyre ishin më të ngrohta e më të shtendosura, paçka se dallimet sektare e bënin të veten. Për më tepër, ish-presidenti amerikan, Riçard Niksoni, do ta përshkruante politikën e jashtme të vendit të tij në Lindjen e Mesme si “politikë të dy shtyllave”, duke aluduar në mbështetjen e ShBA-së te Irani dhe Arabia Saudite.

Pas Revolucionit Islamik dhe ardhjes në pushtet të ajatollahëve më 1979, Irani, tanimë jo një monarki por një republikë islamike teokratike, mori qëndrim të qartë antiperëndimor, antiamerikan dhe antiizraelit. Kjo njëherit nënkuptonte edhe “mallkimin” e secilit shtet mysliman që mbante raporte të mira me amerikanët. E, në këtë mes, Arabia Saudite ishte në krye të listës si aleatja kryesore myslimane e amerikanëve në Lindjen e Mesme.

Ajo që kemi parë në katër dhjetëvjeçarët vijues ka qenë një ofensivë diplomatike, kulturore, politike, ekonomike dhe ushtarake e Iranit shiit në Lindjen e Mesme. Mbase më shumë se sa shtetin izraelit, kjo padyshim që ka shqetësuar shtetet myslimane me shumicë sunite, në krye me Arabinë Saudite. Ka pasur shumë momente historike në këto dhjetëvjeçarë kur janë pikëprerë interesat e Iranit dhe shteteve të tjera myslimane në rajon.

Gjatë luftës mes Iranit dhe Irakut (1980-1988), Arabia Saudite dhe petromonarkitë e Gjirit Persik morën anën e Irakut të Sadam Huseinit. Në vitin 1987 ndodhi “incidenti i Haxhit” kur forcat saudite të sigurisë vranë 275 piligrinë iranianë në Mekë, qytetin e shenjtë të të dy sekteve myslimane. Por, dhjetëvjeçari i fundit ka qenë ndërkoha e tensionit më të lartë në raportet ndërmjet Iranit dhe sauditëve. Megjithëkëtë, rrezgu i përplasjeve kryesisht ka ngjarë në shtete të treta ku përthyheshin interesat e këtyre dy shteteve kundërshtare – mbështetja e Iranit për Hamasin në Palestinë, Hezbollahun në Liban, shiitët në Bahrejn, presidentin alevit Bashar al-Asad në Siri dhe rebelët huthi në Luftën Civile të Jemenit ka prekur drejtpërdrejt interesat gjeostrategjike dhe hegjemoninë sektare të sauditëve.

Për rrjedhojë, për shtetet sunite që kanë raporte të mira me amerikanët dhe vendet perëndimore, Irani është shndërruar në kërcënimin kryesor të tyre, gati se duke e zënë “fronin e kryearmikut”, Izraelit. Kjo, natyrshëm, ka shkuar vetëm në favor të Izraelit. Kësodore, duke skërmitur dhëmbët e tij dhe duke përshfaqur sheshit ambiciet dhe apetitet e tij hegjemone në rajon, Irani ka shënuar autogol dhe ia ka bërë një favor Izraelit. Jo vetëm që e ka ndërsyer krejt botën arabe kundër vetes, por njëkohshëm, me veprimet e tij prepotente, Irani është shndërruar në armikun më të madh të tyre. Kjo, më pastaj, ka shpënë në atë që interesat e shteteve arabe të njësoheshin së paku në një pikë me ato të shtetit të Izraelit – në pranimin e faktit që Irani është kërcënimi kryesor për paqen në Lindjen e Mesme.

Ky fakt nuk mund të ilustrohet askund tjetër më mirë se sa në lëvizjet e fundit tektonike që kanë ndodhur në raportet diplomatike në rajon. Më 15 shtator të këtij viti, me ndërmjetësimin e Presidentit Tramp, në Shtëpinë e Bardhë u nënshkrua Marrëveshja e Normalizimit mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA). Kësisoj, EBA-ja u bë shteti i tretë arab që e njeh ekzistencën e Izraelit dhe i pari pas një çerek shekulli – pas Egjiptit më 1979 dhe Jordanisë më 1994. Në po të njëjtën ditë e në po të njëjtin vend, Izraeli nënshkroi marrëveshje normalizimi edhe me Mbretërinë e Bahrejnit. Sulltanati i Omanit, një shtet tjetër i Gjirit, e përshëndeti marrëveshjen në fjalë, duke dërguar sinjale të qarta se në një ditë të afërt edhe ajo mund ta nënshkruajë një marrëveshje të këtillë me Izraelin.

E, vetë Arabia Saudite po ashtu ka dhënë sinjale në këtë drejtim. Sipas Xhared Kushnerit, dhëndrrit dhe këshilltarit të Presidentit Tramp, sauditët janë pajtuar që ta hapin hapësirën e tyre ajrore për fluturimet mes Izraelit dhe EBA-së. Fundja, nuk mund të paramendohet një lëvizje e këtillë nga EBA-ja ose Bahrejni pa “aminin” e sauditëve, gjigantit të Gjirit. Sipas një analize të “Jerusalem Postit”, gazetës emërmadhe izraelite, ka mundësi që sauditët ta pranojnë një marrëveshje të atillë me Izraelin në këmbim të armatimit amerikan aq të nevojshëm për luftën e tyre në Jemen, ndonëse do të provokonin pakënaqësi të brendshme e të jashtme. Në anën tjetër, Xhozef Hinksi shkruante për “Tajmsin” se është e gjasshme që Mohamed Bin Salmani, princi i kurorës saudite, të jetë promotori kryesor i një afrimi të Monarkisë Saudite me Izraelin – së pari, në shërbim të përmirësimit të imazhit të tij të rënduar në ShBA e në perëndim dhe së dyti, në shërbim të nepsit të tij për modernizimin e Arabisë Saudite.

Është edhe një faktor tjetër që duhet potencuar – tëhuajsimi i kauzës palestineze në sytë e shteteve arabe. Për sa kohë që Hamasi radikal e ka marrë bajrakun e rezistencës palestineze nga Fatahu i moderuar dhe për sa kohë që Hamasi e ka shndërruar veten në marionetë të Iranit, shtetet arabe kanë zënë të jenë prore e më shpërfillëse ndaj kauzës palestineze. Kjo më së miri u shqua në shtator të këtij viti kur Liga Arabe refuzoi kërkesën e Autoritetit Palestinez për miratimin e një rezolute që do ta dënonte marrëveshjen e EBA-së me Izraelin.

Kështu, falë politikës dogmatike iraniane, Izraeli po del fituesi më i madh i pikëthyerjeve ndërsektare e ndërshtetërore në rajon. Natyrisht, duke e pasur edhe një lojtar të mençur diplomatik në krye, siç është kryeministri Bibi Netanjahu, Izraeli ia ka dalë t’i maksimizojë përfitimet e tij. Një njohje nga Arabia Saudite do të ishte “qershia mbi tortë” për izraelitët, marrë parasysh rrezatimin religjioz dhe politik që Arabia Saudite e reflekton në botën islame – mbreti saudit quhet “kujdestar [Khadim] i dy xhamive të shenjta” të Mekës e Medinës.