Fauci: Vaksina, para fundit të vitit - Gazeta Express

Fauci: Vaksina, para fundit të vitit

Lajme

Gazeta Express

16/07/2020 19:03

Eksperti kryesor amerikan për sëmundjet infektive, Anthony Fauci, parashikon se vendi do ta përmbushë objektivin për të pasur një vaksinë për koronavirusin para fundit të këtij viti.

Ai tha në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters se nuk ka garanci që kjo do të ndodhë, por se ndihet optimist për afatet e përcaktuara.

Shumë ekspertë e shohin prodhimin e një vaksine të sigurt dhe të efektshme si të vetmen rrugëdalje nga pandemia që ka infektuar miliona dhe ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 575,000 njerëzve në të gjithë botën.

Dr Fauci tha se edhe nëse një vaksinë arrin të provokojë një përgjigje imune nga trupi i njeriut, ende nuk është e qartë se për sa kohë mund të zgjasë kjo mbrojtje.

Ai tha se “këto janë pyetje që nuk kanë përgjigje tani për tani, sepse që nga shpërthimi i virusit kanë kaluar vetëm gjashtë muaj”. Sipas tij, mund të duhet të kalojë një vit para se t’i jepet përgjigje pyetjes së imunitetit.

Të mërkurën, numri i të infektuarve në SHBA shënoi një rekord të ri ditor, 67 mijë, sipas Universitetit Johns Hopkins. Numri i përgjithshëm i të infektuarve në vend është rreth 3.5 milion.