Kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, sot pas ndërprerjes së seancës ka folur për media rreth bisedimeve që po bën me kreun e LVV-së, Albin Kurti, për formimin e institucioneve të reja, shkruan Gazeta Express.
Limaj ka thënë se partia e tij nuk beson në zgjidhje të pjesshme dhe se kërkon një shumicë parlamentare që e konstituon edhe Kuvendin dhe krijon Qeverinë.
“Ajo çka dua të them, qëndrimi i NISMA-s është që s’besojmë në zgjidhje parciale, ne duam një shumicë qeverisëse, që e konstituon edhe Kuvendin dhe e krijon Qeverinë. NISMA nuk është kontribuuese për zgjidhje gjysmake që pastaj të shkaktojnë zgjedhjet.”, ka thënë Limaj, raporton Express.
Kreu i NISMA-s ka thënë se nëse bëhet zgjidhje vetëm për Kuvendin, pa pasur shumicë për Qeverinë, atëherë mund të shkaktohen zgjedhje te reja.
“Nëse shkohet në zgjidhje vetëm për Kuvendin, pa e pasur një shumicë, mund të shkaktohen zgjedhje të parakohshme”, ka deklaruar Limaj.
Kurti vazhdimisht ka deklaruar se i ka votat për Qeveri kur ka kërkuar që partitë ish-opozitare ta testojnë duke ia votuar për kryekuvendare Albulena Haxhiun./GazetaExpress/