Fati i regjimit të kalbur të Putinit është i vulosur, diktaturat marrin fund papritur - Gazeta Express
string(84) "fati-i-regjimit-te-kalbur-te-putinit-eshte-i-vulosur-diktaturat-marrin-fund-papritur"

Fati i regjimit të kalbur të Putinit është i vulosur, diktaturat marrin fund papritur

OP/ED

Gazeta Express

12/07/2023 12:57

Federico Fubini “Corriere della Sera

Boris Bondarev jeton në një vend sekret në Evropë që kur dha dorëheqjen nga diplomacia ruse, duke sfiduar hapur Kremlinin dhe denoncuar luftën e Putinit ndaj Ukrainës. Disa thonë se Vladimir Putin është edhe më i fortë pas rebelimit të Prigozhin. A është e mundur diçka e tillë? “E si mund të jetë më i fortë?”- pyet Boris Bondarev nga vendndodhja e tij sekrete në Evropë, ku jeton që kur dha dorëheqjen nga diplomacia ruse, më shumë se një vit më parë pas përplasjeve me regjimin në Moskë.

Lexo Edhe:

Edhe pa gjakderdhje Putin tregoi se një grusht shteti ndaj tij është i pamundur, dhe ai do të ishte më i përgatitur herën tjetër…

Nuk mund të jesh kurrë gati në rrethana të tilla. Grushtet e shtetit ndodhin në mënyrë të papritur. Ne në opozitë duhet të organizohemi, të zhvillojmë strategji që të dimë se si të lëvizim kur ky regjim të mos ekzistojë më. Këto lloj diktaturash marrin fund befas një ditë. Ne duhet të fillojmë të imagjinojmë se çfarë do të bëjmë kur Putin të mos jetë më në krye të Rusisë pas 1, 2 apo 5 vitesh.

A do ta forcojë tani Putin sigurinë e tij të brendshme?

Sa më shumë që të përpiqet të përgatitet për një grusht shteti, aq më shumë ka gjasa që ky i fundit të ndodhë. Kreu i Rosgvardia (gardës kombëtare), ka deklaruar se do të përpiqet të pajisen me tanke dhe mjete të tjera. Ndaj për të mbrojtur veten, Putin duhet t’i japë më shumë pushtet Rosgvardia-s. Po në atë moment, çfarë mund ta ndalojë këtë të fundit të sulmojë vetë presidentin.

A është vërtet Putini kaq i dobësuar pas rebelimit të Wagner?

Gjatë orëve të kryengritjes të gjithë e panë se ai ishte i përhumbur, nuk dinte se çfarë të bënte. Njerëzit e tij duhet të kishin vepruar automatikisht për ta mbrojtur, por ata ishin si të paralizuar. Prisnin urdhra ose u përpoqën t’i shmangeshin përgjegjësive. Ne pamë atë ditë mungesën e çfarëdolloj sistemi apo institucioni. Gjithçka varet nga marrëdhëniet informale midis njerëzve dhe njerëzit kanë frikë, edhe nëse ata janë në krye të qindra mijëra njerëzve. Askush nuk i ka përgatitur ndonjëherë që të mendojnë në mënyrë të pavarur dhe të veprojnë në mënyrë të pavarur.

Por diktatori është gjithmonë në Kremlin…

Imagjinoni një bos të mafies. Nëse ai e shuan një kryengritje me metoda paqësore, të tjerët në rrethin e tij do të mendojnë se ai është i dobët. Nëse Putini do ta kishte mbytur atë revoltë në gjak, ai do të kishte treguar nga këndvështrimi i tij se është i fortë, se nuk ka frikë nga asgjë. E pse një njeri si Putin duhet të ketë frikë nga gjakderdhja. Kushdo që e beson këtë, nuk e njeh Rusinë.

A është ende Prigozhin një aktor i rëndësishëm?

Putini shpenzoi një miliardë dollarë për Wagner. Ajo nuk ishte një strukturë private, por një organizatë ushtarake e Putinit. Unë nuk besoj se ky grupim do të jetë ende shumë i rëndësishëm në të ardhmen. Por nëse Wagner kontrollonte asete të rëndësishme në Afrikë, kush i kontrollon ato tani? Kujt i japin llogari mercenarët në Afrikë?

A e ka humbur Putin monopolin e tij mbi përdorimin e forcës?

Ai e bëri atë qëllimisht duke krijuar Wagner. Dhe jo vetëm. Që nga viti i kaluar qarkullojnë raporte se kompani të ndryshme dhe guvernatorë rajonalë kanë krijuar njësitë e tyre ushtarake. Putini kundërshtoi enkas çdo parim bazë të shtetësisë.

Veproi pa menduar për pasojat. Gjithçka ka të bëjë me përpjekjen për të ecur përpara sot, nesër, një ditë tjetër. Pas kryengritjes ai bëri disa dalje publike në përpjekje për të bindur publikun se është më i fortë se kurrë. Në fakt po tregon se ai është i pambrojtur dhe i pasigurt.

Mikhail Khodorkovsky thotë se opozita demokratike duhet të përgatitet për përdorimin e forcës, sepse Putini nuk do të largohet pa të. Ndani edhe ju të njëjtin mendim?

Regjimi i Putinit po vdes, ai është tërësisht i kalbur nga brenda. Për shembull, nëse Khodorkovski do të arrinte të mblidhte 20 mijë burra të armatosur, t’i disiplinonte dhe ata të niseshin për në Moskë, nuk jam aspak i sigurt nëse do të hasnin ndonjë rezistencë. Të gjithë e shohin se sa e brishtë është e gjithë struktura, njerëzit nuk duan të luftojnë për askënd. Nëse ka një udhëheqës që tregon forcë, aftësi dhe vullnet për të luftuar, pakkush do ta kundërshtonte. Pyetja është se çfarë të bëjmë më pas.

Çfarë doni të thoni?

Si të ndërtohet demokracia, kur praktikisht është një çështje që nuk i intereson askujt. Rusëve nuk u intereson aspak se kush i drejton apo për çfarë. Ata janë larg çdo lloj ideje për të bërë zgjedhje demokratike.

A nuk ka Rusia një shoqëri civile?

Ka shkëndija sporadike të shoqërisë civile, por njerëzit janë kryesisht indiferentë. Nga njëra anë është mirë, sepse askush nuk dëshiron të shkojë më në luftë. Por nga ana tjetër, nuk mund të mbështetesh tek njerëzit e thjeshtë për të mbështetur demokracinë, sepse ata nuk duan të përfshihen.

Edhe sa kohë mund të vazhdojë Putin në këtë mënyrë?

Mënyra e vetme për t’u forcuar është ta mposhtë Ukrainën. Por unë nuk jam i sigurt se është e mundur diçka e tillë. Prandaj çdo zgjedhje e radhës që do të bëjë, do të jetë shumë e dëmshme për të. Ai është i destinuar të bjerë. Unë nuk e di se edhe sa kohë do të zgjasë sundimi.

Kjo varet nga shpejtësia e mendimit të elitave, pra sa shpejt do të kuptojnë se Putini është tashmë personi i gabuar për ta. Elitat janë si pjesa tjetër e shoqërisë ruse, të gjithë mendojnë vetëm për veten e tyre. Prandaj është i vështirë krijimi i aleancave. Por nëse përpiqen disa liderë të shkathët, Putini do të bjerë. Dhe pastaj të gjithë do të thonë: në rregull.