Nëse Kosova e arrin kualifikimin në Kampionatin Evropian 2020 përmes Rrugës D të play-offs, atëherë ajo do të radhitet në Grupin C ose në Grupin F, varësisht nga cila Kombëtare do të jetë fituesja e Rrugës A të play-offs.
Kosova s’e arriti kualifikimin direkt në Kampionatin Evropian 2020 përmes Grupit A, pasi që mbeti në pozitën e tretë, prapa fitueses së grupit Anglisë dhe Çekisë, raporton Gazeta Express.
Megjithatë, ëndrra e Kosovës nuk u mbyll me kaq. Dardanët kanë mundësi të kualifikohen në këtë kampionat përmes Rrugës D të play-offs, ku në gjysmëfinale do të luajnë kundër Maqedonisë, ndërsa në finale i pret ose Gjeorgjia, ose Bjellorusia.
Po ta arrijë finalen dhe ta fitojë atë, Kosova do të kualifikohet në EURO 2020, ku tashmë është bërë e ditur se mund të radhitet vetëm në Grupin C ose në atë F. Se në cilin grup do të mund të luajnë djemtë e Bernard Challandes varet nga fituesi i Rrugës A të play-offs.
“Nëse Islanda, Bullgaria ose Hungaria e fiton Rrugën A të play-offs, atëherë fituesja do të radhitet në Grupin F – ndërsa fituesi i Rrugës D do ta kompletojë Grupin C”, thuhet në njoftimin e UEFA-s.
“Nëse Rumania e fiton Rrugën A, ajo do të radhitet në Grupin – ndërsa fituesi i Rrugës D do ta kompletojë Grupin F”.
Tashmë në Grupin C është e ditur se do të luajnë Ukraina dhe Holanda, ndërsa ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në Amsterdam dhe në Bukuresht. Përveç Kosovës ose kundërshtarëve të saj në play-offs, në këtë grup do të radhitet edhe njëra nga: Portugalia, Turqia, Austria, Suedia dhe Çekia.
Ndërsa në grupin F është e radhitur deri më tani vetëm Gjermania dhe ndeshjet do të zhvillohen në Bilbao dhe në Dublin. Përveç Kosovës (si fituese e mundshme e play-offs D) ose fituesit të play-offs A, në këtë grup mund të jenë edhe dy nga: Franca, Polonia, Zvicra, Kroacia, Portugalia, Turqia, Austria, Suedia dhe Çekia.
Kampionati Evropian do të hapet në Romë në orën 21:00 më 12 qershor të vitit 2020. Faza e grupeve, me deri në nga katër ndeshje në ditë, do të vazhdojë deri më 24 qershor. Top dy skuadrat në secilin grup dhe katër skuadrat e tjera më të mira do të kalojnë në fazën eliminatore. Stadiumi “Wembley” do të jetë nikoqir i gjysmëfinaleve dhe finales. /Gazeta Express/