Faruk Mujka tregon pse iu ndërpre marrëdhënia e punës Agim Pllashnikut - Gazeta Express
string(70) "faruk-mujka-tregon-pse-iu-nderpre-marredhenia-e-punes-agim-pllashnikut"

Lajme

Gazeta Express

01/08/2025 6:57

Faruk Mujka tregon pse iu ndërpre marrëdhënia e punës Agim Pllashnikut

Lajme

Gazeta Express

01/08/2025 6:57

Ndërmarrja “Ibër-Lepenc” ia ka ndërprerë marrëdhënien e punës punëtorit Agim Pllashniku, i cili ditë më parë ishte përfshirë në një incident me deputeten e LVV-së, Fitore Pacolli.

Gent Gjini, avokat i Agim Pllashnikut, publikoi dy faqe (të parën dhe të fundit) të vendimit të “Ibër-Lepencit”, sipas të cilit, Pllashnikut i është ndërprerë marrëdhënia e punës në ditën e nënshkrimit të vendimit, më 31.07.2025.

Kreyshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka, në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se shkëputja e marrëdhënies së punës me Agim Pllashnikun nuk ka lidhje me incidentin mes tij dhe deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli, e as me aktivitetin politik të Pllashnikut.

Mujka ka thënë se shkëputja e marrëdhënies së punës është bërë për shkak të mosrespektimit të orarit të punës.

Ai tha se Agim Pllashniku ka pasur edhe aktivitete (aksione) të tjera politike dhe se këto aktivitete po i bën gjatë orarit të punës.

Sipas Mujkës, Pllashniku gati gjatë gjithë korrikut nuk ka qenë në punë dhe, siç ka thënë ai, duke mos e arsyetuar mungesën në punë ka marrë një vërejtje me shkrim.

Mujka ka akuzuar Pllashnikun se e ka kërcënuar dhe kanosur drejtorin e tij.

“Krejt këto aksione po i bën brenda orarit të punës, e ne pastaj e kemi marrë gjendjen, hyrjet dhe daljet e tij dhe rezultoi që ai nuk është në vendin e punës, nuk ka pushim vjetor, nuk ka pushim mjekësor, thjesht pa asnjë arsyetim del dhe kjo askund nuk lejohet”- ka thënë Mujka, duke paralajmëruar edhe hapje të rastit ndaj Pllashnikut për sulm fizik dhe kanosje.

Mujka ka thënë se në vendimin prej 10 faqeve janë dhënë edhe arsyet për shkëputjen e marrëdhënies së punës, porse vendimi i plotë nuk është publikuar nga avokati.