Pasi deputeti britanik, Nigel Farage pranoi ftesën e kryeministrit Edi Rama për të vizituar Shqipërinë, ka reaguar edhe vetë kryeministri shqiptar. Rama e ka quajtur të pasaktë deklaratën e Farage që e shndërroi numrin e shqiptarëve të dënuar në burgje nga “një në 50” në “një në 3”, duke shtuar se vizita e Farage në Shqipëri mund ta frymëzojë atë të luftojë për ide të drejta, në vend që të vazhdojë të luftojë kundër shqiptarëve.
Reagimi i plotë i Ramës ka pasur një ton kritik ndaj numrit të saktë të shqiptarëve të burgosur dhe përpjekjeve të Farage për të përdorur këtë çështje në favor të propagandës pas Brexit-it. Rama ka theksuar se shifrat e raportuara nga Farage janë të pasakta dhe se përdorimi i këtyre shifrave për të krijuar një imazh të keq për shqiptarët është një taktikë e frikësimit, dhe nuk pasqyron realitetin.
“Nigel, Nigel, Nigel… Nga “një kriminel në pesëdhjetë shqiptarë”, pretendimi juaj tani është shndërruar në: “Ndoshta është një në tre, ndoshta një në katër, nuk e di…” Vërtet?! Nuk e dini? Dhe kjo vjen pasi thoni se i keni kontrolluar dy herë shifrat? Unë tashmë ju drejtova te të dhënat e vetë The Telegraph (me bujari, mund të shtoj) duke zgjedhur referencën tuaj, megjithëse një referencë vetëkontradiktore. Por dukeni të vendosur të vazhdoni në gabim. Pra, më lejoni t’ju ndihmoj me sqarime të mëtejshme. Sipas të dhënave nga Ambasada e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, një institucion që merret me njerëz të vërtetë, jo me fraza të Brexit, numri i shqiptarëve në vendin tuaj nuk është 53,000, siç sugjeron fillimisht The Telegraph. Në fakt, në të njëjtin artikull, ajo pranon, dhe citoj, “analiza ka të ngjarë ta ketë nënvlerësuar madhësinë e popullsisë shqiptare”. Pastaj spekulon se shifra mund të jetë deri në 140,000. Në realitet, z.@Nigel_Farage E di çfarë? Shifra është mbi 300,000, vëlla! Këta janë njerëz që mësojnë fëmijët tuaj, që ndërtojnë shtëpitë tuaja, që kujdesen për të moshuarit dhe të sëmurët tuaj. Ata nuk janë mish për dhëmbët e propagandës së shpëlarjes së trurit pas Brexit-it. Ata janë pjesë e strukturës së gjallë dhe që merr frymë e shoqërisë suaj. Edhe pa kontrolluar moshën, gjininë apo statusin socioekonomik, raportet tuaja bien. As një në pesëdhjetë. Dhe sigurisht jo një në tre ose katër. Këto nuk janë statistika, janë taktika frikësimi të maskuara si të dhëna. Pra, më lejoni t’ju pyes qartë: pse është kaq e vështirë të pranosh se ke gabuar, pa zvarritur në baltë një komunitet të tërë njerëzish të shkëlqyer dhe punëtorë që i shërbejnë atdheut tënd me dinjitet sikur të ishte i tyri? Britania është tashmë e madhe dhe jo më pak për shkak të diversitetit, qëndrueshmërisë dhe forcës së saj shumëkulturore. Një komb në stres politik post-traumatik nuk ka nevojë për kurbane. Nuk ka nevojë për goditje të kota. Dhe sigurisht nuk ka nevojë për mite në vend të fakteve. Shpresoj sinqerisht që vizita juaj e ardhshme në Shqipëri t’ju frymëzojë të luftoni për ide, në vend që të luftoni kundër njerëzve – në frymën e traditës së madhe liberale për të cilën vendi juaj ka qëndruar prej kohësh. Pres me padurim t’ju mirëpres në vendin tonë të bukur si mysafir nderi. Por, përpara se të arrini për të shijuar diellin e vërtetë dhe mikpritjen e sinqertë, a mund të biem dakord të diskutojmë faktet, jo fantazitë tuaja pas së vërtetës? Le të caktojmë datën”, reagoi Rama.
Ai e ka ftuar Farage të pranojë gabimet dhe të diskutojne për faktet, duke theksuar se shqiptarët janë pjesë integrale e shoqërisë britanike, dhe jo një grup i përjashtuar apo i keqinterpretuar.
Nga ana tjetër, deputeti Farage kishte shpërndarë një video në të cilën riafirmoi akuzat e tij dhe njoftoi se kishte pranuar ftesën e Ramës për të vizituar Shqipërinë, me qëllimin për të diskutuar kthimin e të burgosurve shqiptarë. Farage e ka quajtur si “fitim” të tij kërkesën që Shqipëria të marrë të gjithë të burgosurit shqiptarë që ndodhen në Britani, duke vazhduar të këmbëngulë për numrin e kriminelëve shqiptarë.
“Një në 50 shqiptarë në Britani është në burg. Dhe unë fola për këtë para pak ditësh në GB News. Edi Rama, ky gjigand njeri që është Kryeministër i Shqipërisë, ka reaguar dhe ka thënë se “po flas broçkulla”, se shifrat e mia janë të gjitha të gabuara. Ai gjithashtu tha: “Si guxon Britania të mendojë për të dërguar njerëz jashtë vendit që u është refuzuar kërkesa për azil”.
Po vetë ai është duke bërë një marrëveshje me Italinë për të marrë disa nga azilkërkuesit e tyre të dështuar. Çfarë hipokrizie nga ky Kryeministër pro-Bashkimit Europian dhe anti-Brexit. Epo, po të them një gjë, Edi: nëse je burrë i mirë, pse nuk i merr të gjithë të burgosurit tanë shqiptarë?
Ai tha që nëse shifrat e mia janë të sakta, do të marrë çdo shqiptar në burg dhe do ta kthejë në Shqipëri. Ne i kemi kontrolluar dhe ri-kontrolluar shifrat tona. Jemi në rregull. Por Edi thotë, jo, keni gabim, sepse ka mijëra emigrantë të paligjshëm nga Shqipëria në Britani. Epo, kjo do të thotë që numri i kriminelëve nuk është një në 50. Ndoshta është një në tre. Ndoshta një në katër. Nuk e di. Gjithsesi, debati vazhdon me Kryeministrin shqiptar.”, thotë Farage, teksa shton se ka pranuar ftesën.