Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend draftin për faljen e gjobave të vendosura nga viti 2015 dhe të paekzekutuara ende.
Ky projektligj ka shkaktuar debat të ashpër në seancën plenare në Kuvend. Opozita ka bllokuar disa herë foltoren gjatë rreth tre orëve seancë.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka nuk ka lejuar të flasë ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manjën, i cili mori fjalën në foltore.
Opozita akuzon maxhorancën se ishte vetë ajo që i dënoi padrejtësisht qytetarët, ndërsa kjo e fundit u kërkoi të bashkëpunojnë.
“Vini këtu mbani Parlamentin, o zotëri bëhuni një moment e bashkohuni me ne ta miratojmë para vitit të ri. Ne i kemi votat dhe do ta kalojmë brenda këtij sesioni faljen e gjobave”, tha ministri Ulsi Manja.
Në fund 40 deputetë socialistë kanë firmosur draftin i cili prek ata që janë gjobitur për ndërtime dhe ndërhyrje në shtëpi banimi deri te personat e gjobitur gjata pandemisë për shkelje të rregullave anti-covid.