Fakulteti i Mjekësisë të prijë me hapjen, QKUK dhe spitalet të punojnë me kapacitet të plotë - Gazeta Express
string(91) "fakulteti-i-mjekesise-te-prije-me-hapjen-qkuk-dhe-spitalet-te-punojne-me-kapacitet-te-plote"

Fakulteti i Mjekësisë të prijë me hapjen, QKUK dhe spitalet të punojnë me kapacitet të plotë

Gazeta Express

15/05/2020 11:28

Studentët t’i kthehen mësimit praktik sa më parë. Pasojat e një kohe kur pjesën praktike të studimeve të mjekësisë e bënim sa për sy e faqe po i vuajmë edhe sot. Studentët e mjekësisë duhet të mësohen me punën edhe në kushte epidemie/pandemie. Nuk do të ndodhë mrekullia. Covid 19 edhe për një kohë do të jetë në mesin tonë

Prof. Asoc. Dr. Ilir Q. Tolaj

Lexo Edhe:

Reagimet e vendeve të ndryshme ndaj pandemisë Covid 19 ishin të ndryshme. Ku më të ashpra e ku më pak. Varësisht nga niveli i panikut dhe mungesa e të menduarit racional të bazuar në shkencë. U shpall luftë kundër një armiku të padukshëm. U cenuan e po vazhdojnë të cenohen edhe më tej të drejtat njerëzore e veçanërishr të drejtat e nevojat e pacientëve tjerë të sëmurë kronik e akut, më sëmundje tjera nga Covid 19. Klinikat e spitalet u boshatisën dhe kështu janë ende. Persona të paditur, në vende të rëndësishme, si Instituti i Shëndetit Publik, në mendjen e tyre të marrë, po e paramendojnë veten si gjeneral. Gjeneral të ushtrisë së vdekur. Të bindur në marrëzinë e tyre se me masat që e ndalin punën e jetën, do ta mundin pandeminë. Thuase na jetojmë në një gotë qelqi, të izoluar nga e gjithë bota. Duke u bërë kopjues të këqinjë të masave më ekstreme që i kanë dëgjuar që nga Kina e deri këtu. Duke e krahasuar Kosovën me Norvegjinë, për shembull, e cila ka ndarë 330 miliardë Euro, për tu ballafaquar me pasojat ekonomike të pandemisë Covid 19 në këtë vend. Ne i kemi ndarë vetëm 170 milion Euro për këtë qëllim.

E ata që duhet t’i mbikëqyrin këta injorantë nuk e kanë as dijen e as guximin për ta bërë këtë. E aq më pak nuk e patën as mendjegjerësinë për të marrë edhe një mendim tjetër nga profesionistë të pavarur. Sepse, besoj e dinë, Institutit i Shëndetit Publik, asnjëherë nuk ka qenë në shërbim të njerëzve e Kosovës, por në shërbim të politikës e politikanëve të caktuar. Jo të këtyre që tash janë në pushtet. Për interesa të një individi të vetëm në këtë institucion.

Koha e vërtetoi atë që e kam thënë që në fillim. Përvoja dhe studimet e vendeve që mjekësinë e marrin në mënyrë serioze, gjithashtu. Do të jemi me Covid 19 derisa të krijojmë imunitetin kolektiv, qoftë në mënyrë natyrore, duke u infektuar gradualisht shumica e popullatës, apo në mënyrë artificiale, me vaksinë.

U vërtetua gjithashtu se masat e caktuara të distancimit social dhe larja e duarve, si dhe përgjegjësia individuale e secilit prej nesh për ta mbrojtur veten dhe të tjerët, janë të mjaftueshme në parandalimin e përhapjes së pakontrolluar të infeksionit.

Shumë vende tashmë po hapen. Shumë prej tyre po e pranojnë se masat e tilla të izolimit të plotë të vendeve dhe detyrimi për të ndenjur të mbyllur në shtëpi, kanë qenë të tepruara dhe të panevojshme. Të tjerët po i modifikojnë masat e tyre. Por që të gjithë po shkojnë drejtë të ashtuquajturit “model Suedez”. Me variacione të pakta. Sllovenia, shkoi edhe një hap më tej, nga mbrëmë qeveria e tyre e shpalli fundin e epidemise në atë vend.

Masat e kufizuese bënë që të mbyllen shkollat e fakultetet. E njëjta gjë ndodhi edhe me Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Studentët janë pa mësim praktik, e klinikat e spitalet (me përjashtim të Klinikës Infektive) pa mjekë e pa pacientë. Po pësojnë si studentët ashtu edhe pacientët.

Studimet e kësaj forme, më kthejnë në kohën e sistemit paralel të arsimit në vend. Për shkaqe të ndryshme nga këto të sotmet, kuptohet. Studimi bëhej gati pa pjesën praktike. Pasojat e një studimi të tillë të një kohë të pakohë ndjehen edhe sot, 20 e sa vjet më pas. Dhe nuk duam që kjo të përsëritet.

Ne përgatisim studentët e mjekësisë që të ballafaqohen me sëmundjet e pacientëve të tyre në të ardhmen. Në këtë punë të tyre duhet të jenë të përgatitur për tu ballafaquar si me rastet individuale ashtu edhe me ato të epidemive, ku dhjetëra e qindra persona sëmurën përnjëherë. Ne duhet ti edukojmë mjekët e së ardhmes në atë mënyrë që secilin pacient ta shohin si burim i një infeksioni të mundshëm që mund të përhapet. Derisa të mos vërtetohet e kundërta. Tek e fundit, mos larja e duarve nga personeli shëndetësor konsiderohet si shkaku kryesor i infeksioneve hospitalore, që vetëm në vendet e Evropës, sipas ECDC brenda një viti marrin apo seriozisht dëmtojnë 2.5 milion jetë njerëzish. Studentët tonë duhet t’i aftësojmë që të jenë të aftë të punojnë edhe në kushte epidemie/pandemia. Tek e fundit, në momentin kur janë regjistruar në fakultetin e mjekësisë, kjo është bërë edhe zgjedhja e tyre.

Për këto, e arsye tjera, Fakulteti i Mjekësisë, duhet të prijë me hapjen. Studentët të kthehen tek pacientët, provimet të mbahen edhe me pjesën praktike të tyre, mjekët të kthehen në klinika e spitale me orar të plotë, e pacientët me sëmundje tjera të gjejnë mjekimin në klinikat e spitalet e tyre. Përkushtimi ndaj Betimit të Hipokratit dhe empatia ndaj të sëmurëve tjerë, duhet treguar edhe në kohë epidemie/pandemie. Edhe nga studentët e mjekësisë, gjithashtu. Du

Ndoshta, këtë herë nuk do të kërkohet rekomandimi i Gargamelit, sepse ky personazh vetëm mbrapsht mendon e punon. Atij hunda ia pengon pamjen.