Gazetari Lutfi Dervishi ka publikuar një status ku shpalos një listë faktesh tdhe mitesh për mënyrën si është ndërtuar narrativi historik rreth 28 Nëntorit dhe shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Dervishi kujton se në momentin e shpalljes së Pavarësisë, Shqipëria nuk kishte kufij të përcaktuar – ato u vendosën vetëm një vit më vonë nga Konferenca e Londrës. Ai thekson se rreth 80 për qind e territorit atë kohë ishte nën pushtim të huaj.
Një nga faktet që ngre gazetari është se origjinali i Deklaratës së Pavarësisë nuk është gjetur ende, ndërsa pothuajse të gjithë firmëtarët kanë përfunduar jetën në varfëri, internim apo burg. Edhe autorësia e tekstit të deklaratës mbetet e paqartë.
Dervishi rrëzon edhe disa mite të tjera shumë të përhapura: flamuri i ngritur në Vlorë nuk ishte i qendisur nga Marigona, por ishte i familjes Vlora. Fotografia ikonike me flamurin e ngritur në ballkon e njohur nga të gjithë është realizuar një vit më pas; dhe mbiemri i Ismail Qemalit nuk ishte “Qemali”, por “Vlora”.
Ai nënvizon se sot do të ishte e vështirë të gjendeshin 40 persona që i njohin 40 firmëtarët e Pavarësisë, ndërsa rikujton se edhe filmi “Nëntori i Dytë” përmban mjaft pasaktësi.
Në fund, Dervishi shton një detaj domethënës: shqiptarët në SHBA kanë mësuar për shpalljen e Pavarësisë vetëm dy muaj më vonë.