Eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano ka dhënë një përditësim të prerë mbi situatën e trajnerit te Liverpoolit, mes spekulimeve të vazhdueshme se Arne Slot mund të shkarkohet.
Liverpooli nuk po arrin të fitojë asnjë ndeshje tani, veçanërisht në Premierligë.
“The Reds” kanë humbur gjashtë ndeshje në ligë këtë sezon, kanë golavarazh negativ dhe 20 golat e pësuar janë shifra më e keqe e klubit në historinë e Premierligës pas 12 ndeshjeve.
Slot po tregohet i paaftë të integrojë numrin e madh të afrimeve të reja, ndërsa duket gjithashtu i pafuqishëm të ndalë rënien e yjeve të konsoliduar si Ibrahima Konate, Cody Gakpo dhe Mohamed Salah.
James Pearce nga “The Athletic” sugjeron se tifozët që ndjekin ndeshjet po humbasin durimin me Slot.
Këto spekulime e kanë shtyrë gazetarin e besuar, Fabrizio Romano, të zbulojë se çfarë po ndodh vërtet pas skenave në “Anfield”.
Duke folur në “YouTube”, Romano tha: “Çfarë po ndodh me Arne Slot? Djema, për momentin nuk kam asnjë informacion që pronarët e Liverpool po mendojnë të marrin një vendim të menjëhershëm për Arne Slot. Pra Liverpool NUK po mendon të ndryshojë trajner tani. Sigurisht, ata – pronarët, klubi – duan të shohin rezultate të ndryshme, presin shumë më tepër nga Arne Slot dhe skuadra e tij. Me siguri Liverpool pret të shohë diçka ndryshe si nga trajneri ashtu edhe nga lojtarët, sepse nuk është vetëm Arne Slot. Edhe lojtarët duhet të marrin përgjegjësi, siç tha Virgil van Dijk, pra janë si lojtarët edhe trajneri. Arne Slot e di që situata është e rrezikshme, e komplikuar, por në të njëjtën kohë ai ndien mbështetjen dhe besimin e klubit. Liverpooli NUK është në bisedime me asnjë trajner tjetër dhe as nuk po shqyrton mundësinë për ta shkarkuar trajnerin. Kjo është situata aktuale. Sigurisht, rezultatet duhet të ndryshojnë, dhe shpejt, si në Champions League ashtu edhe në Premier League, veçanërisht në Premier League, sepse Liverpooli është realisht në një situatë të komplikuar. Kjo është ndjesia sot”.
Në anën tjetër, Virgil van Dijk nuk kurseu kritikat kur analizoi humbjen turpëruese kundër Nottingham Forest, ndërsa Slot iu përgjigj pyetjeve rreth asaj që tifozët e panë si një gabim të madh në formacion./GazetaExpress/