Mbrëmë, në hapësirat e Qendrës “Barbar”, Expoart.40, nën drejtimin artistik të Majlinda Kelmendit prezantoi edicionin e 12 të projektit Ndërkombëtar NET/RRJET
Edhe këtë vit qëllimi kryesor i ekspozitës mbeti bashkëpunimi përmes artit ndërmjet Kosovës dhe vendeve ndërkombëtare, përkatësisht bashkëpunimi mes artisteve vendorë dhe jashtë vendit.
Në mesin e veprave dhe instilacioneve që u ekspozuan, ishin pjesëmarrës artistë nga Argjentina, Kroacia, Lituania, Singapori, Gjermania, Kosova, Shqipëria e shumë vende tjera.
Se pjesëmarrja e artistëve ndërkombëtarë është thelbi kryesor i ekspozitës e thotë edhe kuratori Zeni Ballazhi. Përkundrejt vështirësive që të bëhen bashkë të gjithë këta artistë nga të gjitha këto vende të largëta, Ballazhi thotë së dinamika e sotshme e jetës edhe na e lejon një gjë të tillë.
“Të organizosh një ekspozitë të tillë është një lodhje, lodhje fizike sidomos me artistët ndërkombëtarë, duke nisur nga komunikimi me secilin prej tyre. Si koncept ka ardhur pikërisht kjo gjendja e rrjetëzimit, bashkëpunimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Gjetje e mirë është pikërisht kjo që artistet pjesëmarrës të këtij niveli të kenë mundësinë bashkëpunimit edhe me artistet nga Kosova që janë pjesë e kësaj ekspozite. Artistet pjesëmarrës që janë prezantuar me veprat e tyre nga vende të largëta nuk mund t’i sjellim fizikisht por prezantimet online na mundësojnë këtë”, përfundon Ballazhi.
Në mesin artisteve pjesëmarrës ishte edhe Resul Jusufi me instilacionin e titulluar “Tejkalimi i vetes”. Lidhur me ketë instalacion siç potencon edhe vetë autori, ekzistojnë një numër interpretimesh e megjithatë ekziston edhe interpretimi i artistit.
“Lidhur me instilacionin “Tejkalimi i vetes”, këpucët janë simbolike, nuk ka rëndësi të vjetra apo të reja; hija, të gjitha këto kanë simboliken e njeriut i cili nuk duhet të dorëzohet përpara asnjë sfide sado të vështira të jenë ato.”
Titullimi i veprës lidhet edhe me ketë që u tha më lartë edhe me një varg elementesh tjera.
“E kam titulluar “Tejkalimi i vetes” sepse nëse njeriu nuk arrijnë ta tejkaloj veten ai nuk mund ta njoh veten, nuk mund ta shijoj jetën, nuk mund të bëjë diçka që i përket atij, sepse njeriu ka shumë energji dhe nganjëherë nuk jemi të vetëdijshëm për energjinë që kemi. Pastaj ekziston edhe ana sociale, sepse nganjëherë duhet ta tejkalojmë egon tonë, të bëjmë për njeriun, për vendin, për komshiun, pse jo edhe për shtetin; do të thotë ky është edhe mesazhi”, thotë ndër të tjera Jusufi.
Përtej interpretimit, ekziston një mesazh që synon të përçohet në formën e vet përmes asaj që ne e shohim dhe asaj që fshihet pas saj.
“Ne duhet të edukohemi që të tejkalojmë veten jashtë interesave të përditshme që mund t’i kemi, sepse kjo na bën njeri na bën më socialë, më të dashur bashkëpunues. Secili mund ta shikojë instilacionin në mënyrën e vet, ta përjetojë në mënyrën e vet nga këndvështrimi i tij. Qëllimi i veprës; njeri tejkalo egon, tejkalo vetveten, behu me i arsyeshëm bëhu më i mirë, duaje natyrën e tjetrin”, përfundon Jusufi.
Expoart.40 është një Qendër për Art Bashkëkohor, kërkime arkitekturore, edukim ndërdisiplinor.
Këtë vit u shënua edicionin i 12-të duke bërë bashkë plot artistë nga shumë vende për të ndërtuar rrugë bashkëpunimi kulturor i cili synon të sjellë më afër publikut vendas pikëpamje dhe vepra nga jashtë vendit.
Ky edicion do të jetë i hapur për publikun nga 11 deri më 17 nëntor 2024, nga ora 12:00 deri në 17:00, në Barabar Centre (Grand Hotel, kati i katërt), Prishtinë.
/Express