Expo/ Në botën e të ngjashmëve - Gazeta Express
string(29) "expo-ne-boten-e-te-ngjashmeve"

Arte

Donjeta Abazi

07/10/2024 15:13

Expo/ Në botën e të ngjashmëve

Arte

Donjeta Abazi

07/10/2024 15:13

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës po ekspozohen punime artistike nga koleksioni “Kur qeniet takohen”, në të cilin përfshihen gjithsej 24 artistë.

Kapërcimet artistike në takimin e qenieve

Nga ky koleksion shohim një varg pikturash e skulpturash që portretizojnë kafshët në ambiente e forma të ndryshme, madje ekziston edhe një kapërcim tek figurat mitologjike greke. Ndërlidhja e këtyre punimeve dallon në kohë, koleksionimi i tyre vijon nga fundi i shekullit 20-të kur në artin pamor fillon prezantimi i kafshëve në këtë formë arti. Ndërthurja e punimeve prezanton kafshë nga artistë të cilët zgjedhin forma interpretimesh reale ose imagjinare e megjithatë krijojnë një relacion mes të përditshmes dhe fiktives, të dyja këto të ardhura në kombinim si realizime artistike të autorëve. Takimi i qenieve nuk përfaqëson veç prezantimin e kafshëve në kohë e hapësira të ndryshme, në këtë takim vërejmë edhe relacionin e njerëzve me kafshët dhe mënyrat e reflektimit të këtij raporti në art.

Thellë thellë rëndësia e pjesëmarrjes së këtij formati punimesh depërton nga kreativiteti tek racionaliteti kolektiv mbi çështjet ekologjike.

Veç e veç

“Loja e maceve” realizuar nga Hyrije Krypa në vitin 1981 është një grafikë/ print që na flet për një pamje krejt reale, në një dhomë ndeje. Paraqitja reale e një momenti të caktuar ose e një përjetimi të caktuar zakonisht për periudha të gjata kohore ka zënë një vend të rëndësishëm në artin pamor.

“Nëna me fëmijë në ahër”, realizuar nga Adem Kastrati në vitin 1989 shpërfaq një pamje sa reale aq të fuqishme emocionalisht për shkak të përmbajtjes. Gjiri jashtë i nënës që ushqen fëmijën në një ambient siç është shtalla, tregon përtej kuptimit të parë të pikturës edhe një prapavijë interpretimi mbi gjendjen aktuale shoqërore, e cila ndikon në motivimin e artistit drejt realizimit.

“Ikarus”, kjo figurë mitologjike na vije në tri krijime ndaras. Piktura e Mikel Gjokajt dhe skulpturat e Radoslav Musa Miketić-it dhe Dragoljub Adžić-it paraqesin Ikarusin i cili sipas miologjisë greke pasi fluturoi shumë afër diellit i cili i shkriu krahët prej dylli.

E përtej këtyre punimeve që rrëfejnë forma artistike të ndryshme, qoftë në pikturë, skulpturë e grafikë, pjesë e koleksionit janë numër i madh realizimesh që portretizojnë kafshë tjera, duke filluar nga insektet, delet, peshqit etj.

Mikel Gjokaj, “Pa titull / Untitled”, 1977.

Libri i autores Donna Haraway prej nga ekspozita është titulluar

Në ‘When Species Meet’, Donna J. Haraway gërmon në këtë fenomen më të madh për të menduar ndërveprimet e njerëzve me shumë lloje krijesash, veçanërisht me ato që quhen shtëpiake. Në qendër të librit janë përvojat e saj në stërvitjen e shkathtësisë me qentë e saj Cayenne dhe Roland, por vizioni i Haraway këtu përfshin gjithashtu ujqër, pula, mace, babunë, dele, mikroorganizma dhe balena që mbajnë kamera video. Nga kafshët shtëpiake projektuese te kafshët laboratorike te qentë e trajnuar terapie, ajo eksploron me shkathtësi aspektet filozofike, kulturore dhe biologjike të takimeve kafshë-njeri.

Kuratorja e ekspozitës, Hana Halilaj tregon për mënyrën e përzgjedhjes së veprave që janë pjesë e koleksionit dhe faktin se një numër i veprave janë ekspozuar për herë të parë.

“Ekspozita është konceptuar në bazë të hulumtimit mbi lidhjen e kafshëve dhe njerëzve, duke u fokusuar në tregime nga veprat e Koleksionit të GKK-së që korrespondojnë me tematiken e përzgjedhur. Shumë vepra e artistë në koleksionin e GKK-së kanë qenë të preokupuar me këtë tematike dhe kane krijuar vepra që të cilat kanë plotësuar hulumtimin ose që i janë përgjigjur pyetjeve mbi të cilat është ndërtuar qasja rreth ekspozitës. Një numër i veprave, janë të ekspozuara për herë të parë.”

Koleksioni “Kur qeniet takohen’, na sjell artistë si: Isak Asllani, Agim çavdarbasha, Tahir Emra, Mikel Gjokaj, Zoran Karalejic, Ibrahim Kodra, Muslim Mulliqi, Lizzie Lundberg etj.

Punimet e tyre e shpërfaqin një pjesë interesante e të dashur të asaj që ne e përjetojmë në një formë a tjetër thuajse çdo ditë. Përditshmëria e marrëdhënies sonë me kafshët dhe mënyra se si bashkëjetojmë në ambientet tona, hollon ndasitë e mundshme dhe krijon një lloje harmonie mes njerëzve dhe kafshëve. Atë që e shohim në këtë koleksion veprash i takon një pune të gjatë për shumë vite me radhë dhe na ekspozon ndryshe nga se jemi mësuar t’i shohim një numër të madh artistesh.

Halilaj shpjegon edhe figurën e Ikarusit, një figurë që e shohim ne tre punime të ekspozuara nga ky koleksion.

“Mitet kanë shërbyer gjithmonë si analogji për mësime rreth qenieve njerëzore dhe mënyrat se si jemi të ndërlidhur me natyrën dhe speciet e tjera. Por ato sidomos reflektojnë shpesh faktin që për shumë kohë ndërveprimi mes specieve  në natyrë është karakterizuar nga dominimi njerëzor, i njohur si antropocentrizë. Përfshirja e figurës  mitologjike greke Ikarus, i njohur si i biri i mjeshtrit Dedali, arkitekti i labirintit të Kretës, i cili i ndërtoj krahët më të cilët Ikarus mund të fluturonte dhe e udhëzon mbi pasojat e fluturimin afër ujit apo diellit. Ikarus, injoron këto këshilla dhe vdes pasi që fluturon shumë afër diellit që i shkrin krahët. Figura e Ikarusit përfshihet në ekspozitë pasi që është figurë që e kemi hasur në motivet e disa artistëve dhe si narrativë e tillë, ofron një kornizë jo vetëm për diskutimin e pasojave ekologjike brenda fushave të saj, por transmetuar atë si njohuri përtej kufijve të atyre fushave përmes metaforave”, përfundon Halilaj.

Dragoljub Adžić, “Icarus”, 1974.