string(35) "expo-mashtrimi-i-ngjyrshem-i-reales"

Arte

Donjeta Abazi

19/07/2024 16:18

Expo/ Mashtrimi i ngjyrshëm i reales

Arte

Donjeta Abazi

19/07/2024 16:18

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, më 17 korrik, u hap ekspozita ‘Udhët që më njohin’ e artistit Rron Qena

Nga Donjeta Abazi

Në katin e parë të Galerisë, Qena ndan nga puna e tij një numër punimesh, të cilat janë realizuar në tekniken vaj në pëlhurë. Të gjitha punimet ose përfshijnë rrugica të kryeqytetit, kujtime të artistit ose persona të afërt, të cilët e kanë inspiruar Qenen të realizojë punimet e tij.

Lagjet e Prishtinës të kornizuara në Galeri

Për vetë faktin që e gjithë ekspozita është titulluar ‘Udhët që më njohin’ medoemos edhe punimet e ekspozuara do të ndajnë me publikun kujtime të artistit në periudha të ndryshme. Një numër i madh i pikturave paraqesin qytete si Shkodrën, Prishtinën dhe disa pjesë të vendeve të cilat artisti i ka përdorur si frymëzim; ndërsa një numër tjetër i tyre janë përqendruar mbi objekte të caktuara ose portrete, siç është Biblioteka Kombëtare dhe tek portretet Muharrem Qena dhe Melihate Qena.

Tek punimet të cilat paraqesin Dardaninë ose pamje nga Sunnyhill, ngjyrat, vijat, objektet brenda formojnë një imazh të ngarkuar dhe të mbushur, pamje të qytetit të Prishtinës, pamje reale. Nëse teknika e artistit është që të përdor ngjyra më të gjalla në pikturat e tij, kjo ndihmon që sidomos pamja e Prishtinës të mos i përkojë grisë.

Pamjet e Prishtinës, Bremenit, Shkodrës e vendeve të tjera në punimet e Qenes, transmetojnë ndjeshmërinë e përjetimeve personale dhe rrëfimeve të artistit mbi pëlhurë.

E bukura brenda kaotikes

Në punimet e artistit ne udhëtojmë bashkë më të në kohë nëpër vendet të cilat edhe mund të jenë ndryshe për secilin e që për secilin mund të ketë kujtime ndryshe.

“Në këto udhëkryqe lagjesh e metropolesh përparësi merr fryma e njeriut të lirë, njeriu i cili mezi shihet në labirinthin e qytetit, në mes makinave dhe kaosit, por që e dimë se diku pas fasadave apo nën hije të parqeve ai vazhdon të shkruajë fatin e tij”, thuhet nder tjerash në tekstin kuratorial.

E në këtë kuptim ne elaborojmë në jetën e kujtimeve, në të gjitha momentet që janë shkëputur për t’i dhënë artistit brumin e duhur në realizimet e tij. Në ballë të ekspozitës në njërën prej dhomave të Galerisë shihet një punim me mbishkrimin ‘dy shokë të dehur’, prandaj kur flasim për kujtimet, jetën e qyteteve të ndryshme, vendet që i përkasin pamjeve kaotike urbane, lehtë e kuptojmë që kjo ka ndikuar vazhdimisht ne detajet e vogla që mund të merren të mirëqena, por që për Qenen në këtë rast janë fryte të punës së tij.

E në pjesën e fundit të ekspozitës shohim portrete figurash dhe një punim me motive tradicionale.

Kapërcimi i ekspozitës nga punime që paraqesin qytete, objekte e hapësira të ndryshme deri tek portretet e autoportreti i artistit, ndërlidhin tamam në kornizë të gjerë të përditshmen në jetën e dikujt, në këtë rast të artistit.

Ngjyrat që i shohim në punime të qyteteve e që janë më të gjallëruara se që ne e njohim jetën urbane, interpreton dëshirën dhe imagjinatën për një gjallëri e cila mungon por që në art edhe mund të jetë prezent.

Pikturat e Rron Qenes na përballin me një realitet artistik kreativ dhe shumëdimensional i cili rrëfen për të bukuren brenda kaotikes, për koloritin brenda grisë dhe për detajet e një jete të përditshme që frymëzon nëpërmes detajeve që rëndom shpërfillën.

Biografi e artistit:

Rrona Qena jeton dhe punon ndërmjet Prishtinës, Kosovës dhe Bremen, Gjermani. Lidhja e Qenës me pikturën fillon nga marrëdhënia e ngushtë me babin e tij, Agim Qena, karikaturist i njohur në Kosovë. Puna e tij eksploron thjeshtësinë e jetës, izolimin, ççshtjet globale dhe sociale, si dhe bukurinë. Në fillim të viteve 200, vetë akti i pikturës u bë qendror për Qenën, duke çuar në krijimin e ciklit “My Confusion is Oh So Clear”, frymëzuar nga muzikanti Tom Waits.

Disa nga ekspozitat e tij përfshijnë “Gjumi”, Galeria Rizoma, Prishtinë, Kosovë 2006, “Tears of Europe”, Galerie Ardes, Berlin, 2011, “Rron Qena në Paris” Cofe Gallery Rouge, Paris, 2012, “Bremen personlich” PiB, Bremen, 2023 etj.

/Gazeta Express