Evropianët e rinjë, covidianët e rinjë dhe "normaliteti" i ri - Gazeta Express
string(58) "evropianet-e-rinje-covidianet-e-rinje-dhe-normaliteti-i-ri"

Evropianët e rinjë, covidianët e rinjë dhe “normaliteti” i ri

Gazeta Express

13/05/2020 11:01

Shkruan: Arbër HALILAJ

Si shumë vende të Evropës e botës që filluan lehtësimin e masave, hapja graduale e vendit tonë nga “shtetrrethimi” i Covid-19 filloi nga 4 Maji, si një “normalitet” i ri dhe balansim në mes jetës dhe punës, shëndetit fizik dhe atij ekonomik. Në këto kohë të pasigurta, kur ecim me frikë drejt të panjohurës që vetëm emrin ia dijmë (Covid-19), më shumë se kurrë kemi nevojë për pozitivitet dhe për njëri-tjetrin. Më së paku na duhen deklarime të ngutshme e emocionale të stilit “nëse nuk rrini urtë, ju kthejmë në karantinë”, çfarë u përmendën me nguti në këtë fillim. Është fakt dhe njerëzore që më shumë sesa shtrëngimet e rregullave dhe “kërcënimet” e zyrtarëve, shëndetin e ruan vetëdija shoqërore e secilit, meqë së pari e duam dhe e ruajmë shëndetin personal dhe të familjes, e kësisoji ndikojmë në ruajtjen e shëndetit publik.  A na është thënë që duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me virusin për një kohë të papërcaktuar? E, bashkëjetesa me virusin sigurisht mund të sjellë edhe infektime të reja, por s’ka panikë! Ku hahet bukë, bëhen edhe trosha!

Lexo Edhe:

Mos të lypet fajtori në një gjendje e situatë që është e panjohur dhe e pa provuar më parë për secilin prej nesh! Nëse, ta zëmë, maska qenka “pengesa” për virusin, të bëhet pajisje personale obligative (PPO), më parë sesa karantina. Kësaj t’ia shtojmë edhe mbajtjen e  distancës si preventivë, e pastaj slloganin e deridjeshëm “Rri n’shpi” ta zëvendesojmë gradualisht me slloganin e fazës tjetër, që mund të ishte diçka si “Dil kujdesshëm”!

Nuk na duhet senzacioni i numrave, titujt bombastik të stilit “shtohen edhe 4 të infektuar në Prishtinë”, sikur po na thuhet “a e shihni që s’duhet të dilni, s’duhet të punoni, s’duhet të jetoni…..”, thuajse ra bomba atomike nëse 4 veta u infektuan. Filloni titujt e lajmeve me “sot në Kosovë u shëruan edhe kaq veta”, shpërndani pozitivitet meqë gjendja nuk është e zymtë, përkundrazi! Çka ndihmon ndjenja e panikut këtu? Të mendojmë si ndihen pleqtë që përmenden si “shënjestër” e virusit, fëmijët e mbyllur e të nemitur, njerëzit me aftësi të kufizuara, jetimët e të pastrehët etj. meqë numrat që dëgjojnë në fakt janë njerëz! Edhe pse paksa e trishtë, mua më pëlqen skena e filmit “Titaniku” kur super-anija fundosej, e bendi ende luante muzikë. Njerëzorja brenda nesh nuk ndalet dhe duhet të fitojë, sepse nuk bën ndryshe!

Gatishmëria jonë si popull për përballje me sfidën e virusit dhe ndihma për më të varfërit e më të dobëtit në këtë “luftë” është frymëzuese dhe në thelb ka shpirtin tonë human. Shumë njerëz janë duke e luftuar gogolin e padukshëm korona në forma, mënyra e vende pune të ndryshme, duke filluar nga mjeke(-ët) e infermiere(-ët) dhe të gjithë shërbyesit tjerë pa dallim, prandaj të mendojmë se edhe ata janë njerëz dhe kanë nevojë për mbështetjen tonë.

Parimi ynë kryesor pas hapjës së vendit duhet të jetë: pozitivitet, bashkëndjenjë, humanitet! Jeta jonë ndikohet shumë nga këto parime, prandaj ato le të na udhëheqin tani e gjithmonë. Është e rëndësishme të jemi bashkë si një, të afrohemi me njëri-tjetrin emocionalisht dhe me mirësi, pa qenë domosdo afër fizikisht. Mjekët e infermierët e nderuar, që janë në vijën e zjarrit dhe na shfaqen edhe në TV, të flasin më shumë për shkencën në raport me virusin, të shëruarit e storiet e suksesit në raport me të infektuarit, e më së paku për anën e errët të sëmundjes, sepse na mjafton frika e infektimit, stresi post-Covid nga pasojat ekonomike, mënyra e ndryshuar e jetesës, kufizimet tjera, që e dëmtojnë mjaft shëndetin emocional.

Ta ulim dhe menaxhojmë frikën e pasigurinë, efektet post-Covid,  t’i dëgjojmë mirë ekspertët, të marrim masat tona që të ruajmë veten dhe familjet tona të shëndetshme, të ruajmë mendjen dhe botën tonë emocionale, ndërsa gjithsesi të punojmë për vazhdimësinë e jetës. Të shohim përpara, e jo kthimin prapa!

Shteti, familja, individi, të gjithë unik dhe të përkushtuar, bashkë ia dalim edhe kësaj “lufte”, sepse zgjidhje të vetme duhet ta kemi suksesin!