Evropa po e përjeton tmerrin, alarmohen ekspertët rreth rasteve me koronavirus - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

13/08/2020 7:38

Evropa po e përjeton tmerrin, alarmohen ekspertët rreth rasteve me koronavirus

Lajme

Gazeta Express

13/08/2020 7:38

Gjermania ka regjistruar numrin më të lartë të rasteve me të infektuar tre muaj pasi vendet bënë përpjekje me masa kufizuese për të ndaluar përhapjen. Më shumë se 1200 raste u zbuluan në 24 orët e fundit duke alarmuar ekspertët. Ata thonë se infeksioni po përhapet për shkak të qytetarëve që shkojnë dhe kthehen nga pushimet në shtete të tjera brenda Evropës por edhe jashtë saj, po ashtu nga turistët e huaj nga vendet që lejohen.

Kjo ka bërë që autoritetet gjermane të marrin në konsideratë ndalimin e udhëtimit të Gjermanëve në shtetet kur ka shumë raste, si Spanja apo Franca.

Spanja po përballet me nivelin më të keq të infeksionit në Evropën Perëndimore. Ditën e djeshme regjistroi 1418 raste të reja dhe me 675 vatra aktive.

Franca ndërkohë regjistroi 2524 raste brenda 24 orësh, shifra më e lartë që nga heqja e masave në maj.

Salvador Macip, një ekspert në Universitetin e Katalonjës ka thënë se vendi është në një moment kritik, dhe se duhen të bëhen me serioze masat e kufizimit për të frenuar shpërthime të tjera.

Ndërkaq, Brukseli ka vendosur maskën me detyrim në të gjitha vendet publike. Urdhri vlen për ata të moshës 12 vjeç e lart. Më parë njerëzve u kërkohej të mbanin maskë vetëm në zonat e mbyllura siç janë qendrat tregtare.

Rregullorja për mbajtjen e maskave është një nga më të rreptat që ekziston aktualisht në Evropë.

Situata është problematike edhe në Greqi. Sot raportoi 262 raste të reja, raporti ditor më i lartë që nga fillimi i pandemisë.

Në Greqi u vendos shtetrrethimi në mbrëmje për të gjitha bizneset në vendpushimet turistike. Gjithashtu kanë vendosur kufizime për shtetasit nga Ballkanit të cilët nga data 17 gusht mund të shkojnë në Greqi por duhet të tregojnë testin e coronavirusit në pikën e kalimit kufitar, test që duhet të jetë kryer 72 orët e fundit. Jo më shumë se 760 persona në ditë do mund të kalojnë në kufijtë tokësorë grekë.