Mbrëmjen e 15 janarit, në Shqipëri është evakuuar një fëmijë 1-vjeçar nga Gaza, të cilit do t’i ofrohet kujdesi shëndetësor.
Kryeministri Rama ka reaguar duke vlerësuar shërbimin që ofron Pediatria. Kreu i vendit, duke marrë shkas nga komentet në videon e postuar për evakuimin e fëmijës 1 vjeç nga Gaza në Tiranë, akuzoi opozitën se po dezinformon.
“I hodha një sy komenteve, jam kurioz kur i shkruani këto gjëra i keni seriozisht apo inati i sime vjehrre dhe bum në krevat të mullixhiut. Se dakord që e keni inat qeverinë, kjo duket shumë larg. Ku i keni parë këta fëmijët që i lëmë të vdesim? Është pyetje retorike. Se inati po, llumi i foltoreve dhe kanaleve që ju zhyteni po dhe ju ju duket sikur njerëzit vdesin për një aspirinë. Çdo vit kurohen në pediatritë tona 46 mijë fëmijë, 15 mijë fëmijë në QSUT.
Çdo vit dërgojmë jashtë vendit 25 fëmijë, pra shumë më tepër se shoqatat e mbledhura bashkë. Ajo familja qe erdhi nga Gaza erdhi me kërkesë të partnerëve tonë ndërkombëtarë e si rezultat i vlerësimit për shërbimin tonë pediatrik”, shprehet Rama në videon e postuar në rrjetin e tij social.